Dita e xhuma, më 4 mars 2011 ka
qenë një ditë e veçantë për besimtarët frekuentues
të xhamisë së Medresesë. Kjo për faktin se hytbeja e
xhumasë së sotme mbante numrin 100, nga momenti i
hytbes së parë me datë 20 mars 2009. Me këtë rast,
Myftinia Shkodër ka ftuar besimtarë të shumtë për të
marrë pjesë në faljen e kësaj xhumaje dhe dëgjimin e
hytbes së mbajtur nga Myftiu i Shkodrës.
Në fjalën e tij para të pranishëmve të shumtë,
Myftiu Imam Muhamed Sytari ka theksuar se e xhumaja
e sotme është një ditë e lumtur dhe veçantë, një e
xhuma jubilare, pasi edhe hytbeja e saj mban numrin
100. Ai ka vazhduar, duke thënë se: “Nuk ka shumë
rëndësi numri i saj, por fakti se Shkodra është
zbukuruar me një xhami model, të pajisur me të
gjitha kushtet dhe orenditë e duhura për një faltore,
ku njerëzit vijnë për të gjetur sadopak prehje,
qetësi e klimë adhurimi. Me rastin e kësaj xhumaje
jubilare, e ndjej për detyrë të falënderoj të gjithë
ata që kontribuan për ta hijeshuar Shkodrën me këtë
xhami të re, në krye të të cilëve qëndron hoxha i
dashur Osman ef. Nuri Topbash, të cilin e
falënderojmë nga zemra dhe i shprehim një mirënjohje
të thellë për këtë bamirësi të madhe!”
Më pas, në hytben e kësaj xhumaje, Myftiu ka vijur
të flasë për mirënjohjen dhe vlerat që ka ajo për
njeriun në këtë jetë. Në hytben e tij, ai është
ndalur në tre stacione të rëndësishme, ku ka
përmendur kohën, shëndetin dhe pasurinë. Nëpërmjet
argumenteve të ndryshme, Myftiu ka thënë se: “Kushdo
që e shfrytëzon kohën, shëndetin dhe pasurinë duke i
vënë në shërbim të asaj që na udhëzon feja dhe
mësimet e saj, është mirënjohës ndaj Zotit për këto
mirësi. E, kushdo që abuzon me to, ai në të realitet
vërteton mosmirënjohjen e tij karshi Zotit!”.
Hytbeja nr. 100 në xhaminë e re të Medresesë, është
ndjekur edhe nga media lokale dhe është komentuar
edhe në edicionet e lajmeve të kësaj dite.
M. Hoxha
|
|
|
|