Paraditën e së enjtes, më 3 mars
2011, në xhaminë e fshatit Muriqan është organizuar
një ceremoni fetare me rastin e përkujtimit të
lindjes së hz. Muhammedit (a.s).
I pranishëm në këtë aktivitet fetar ka qenë, Myftiu i
Shkodrës Imam Muhamed Sytari, pasi ka falënderuar
imamin e kësaj xhamie, H. Vehbi Dani, për idenë dhe
organizimin, ka thënë se është obligim i muslimanëve
të mblidhen herë pas here për të përkujtuar të
dashurin e Zotit, Muhammedin (a.s). Myftiu ka
kërkuar që kjo traditë e vyer fetare të shërbejë për
të lidhur përherë e më shumë njerëzit, rininë në
mënyrë të veçantë, me mësimet e fesë dhe traditat e
saj. Ai ka thënë se nuk është e ndaluar të mblidhemi
për t’i kënduar dashurisë për All-llahun dhe për të
dërguarin e Tij.
Në fjalën e tij, Myftiu ka folur edhe për rëndësinë
që kanë tubimet fetare ku përmendet All-llahu dhe i
dërguari i Tij. Ai ka përmendur hadithe dhe fakte të
tjera që e nxisin këtë veprim dhe vlerësojnë
shpërblimin e tij.
Pjesë e këtij aktiviteti ka qenë edhe këndimi i disa
pjesëve kur’anore, ilahive dhe pjesëve të mevludit,
që janë sjellë me shumë emocion nga kënduesit: H.
Shukri Kapllan, H. Vehbi Dani, H. Sami Muçej, H.
Qamil Ujkaj, H. Ramazan Avxhë dhe H. Xhavit Sokoli.
Një moment shumë i këndshëm i këtij aktiviteti
ka qenë edhe programi i pasur fetar i fëmijëve të kursit të xhamisë së Muriqanit, të përgatitur me
shumë përkushtim nga imami i xhamisë. Në programin e
tyre ka spikatur përgatitja dhe deklamimi i sureve
dhe rregullave të ndryshme fetare.
Pas faljes së namazit të drekës me xhemat, të
pranishmit janë tubuar në një sofër vëllazërore të
shtruar nga vetë besimtarët e kësaj xhamie me rastin
e këtij aktiviteti fetar.
V. Mehmeti
|
|
|
|