Ditën e xhuma, më 25 shkurt 2011,
Imam Muhamed Sytari ka mbajtur hytben e xhumasë në
xhaminë e fshatit Dragoç, ku ka folur mbi nevojën e
moralit profetik në jetën e përditshme.
Në hytben e tij, Myftiu ka vënë theksin te nevoja që
kanë muslimanët sot për të kuptuar rëndësinë e
përvetësimit të moralit të hz. Muhammedit (a.s), si
shembulltyra më e suksesshme dhe më garante në
historinë e njerëzisë.
Myftiu ka ftuar të pranishmit për të medituar dhe
kuptuar thellë hadithet që ftojnë për rregullimin e
sjelljes dhe marrëdhënies tonë në shoqëri. Në fjalën
e tij, ai ka përmendur: “Në një prej haditheve të
tij në lidhje me këtë temë, pejgamberi jonë urdhëron
e thotë: “Njerëzit më besimplotë janë ata që janë të
mirëedukuar dhe më i buti i tyre me familjen e tij”.
Hadithi në fjalë është një kulm, prej kulmeve të
nxitjes për të përmirësuar sjelljen dhe komunikimin
tonë ditor me ata që na rrethojnë, sidomos me
familjen dhe fëmijët tanë, që janë amanet. Kur u
pyet i dërguari i All-llahut se cilat janë gjërat që
na afrojnë më së shumti me xhennetin, ai tha: “Përkushtimi
dhe mirësjellja!”, duke na nxitur drejt përkujdesjes
për mirësjelljen dhe shfaqjen tonë të sinqertë në
shoqëri”.
Gjatë hytbes së kësaj xhumaje, Myftiu është ndalur
në stacione shumë të rëndësishme që kanë të bëjnë me
realitetin e marrëdhënieve të muslimanëve me
njëri-tjetrin, duke dhënë zgjidhjet e duhura nga
tradita profetike.
Pas përfundimit të xhumasë, Myftiu i është
përgjigjur edhe pyetjeve të disa prej besimtarëve,
të cilët janë interesuar për të ditur më shumë rreth
përmbajtjes së hytbes dhe interesave të muslimanëve
të kësaj zone.
Në shoqërinë e imamit të xhamisë, z. Shkëlqim Sykja,
Myftiu ka inspektuar edhe pronën vakëf të kësaj
xhamie, një pjesë e mirë e së cilës është zaptuar
padrejtësisht nga njerëz të papërgjegjshëm. Me këtë
rast, Myftiu ka thënë se "nuk
do të tolerohet askush, që me arrogancën e tij ka
zaptuar tokën e shenjtë të muslimanëve!"
Ai ka theksuar se jo vetëm në Dragoç, por edhe në
shumë vende të tjera të Shkodrës, abuzimi i
pushtetarëve dhe i njerëzve me moral komunist është
shumë i madh në hak të pronave të Myftinisë Shkodër.
“Zoti na u bëftë ndihmë në përpjekjet tona për të
marrë atë që na takon! Atij i ankohemi për zullumet
e panumërta ndaj komunitetit tonë!”- ka përfunduar
Myftiu.
Al. Hoxha
|
|
|
|