Paraditën e së mërkures, më 23
shkurt 2011, Imam Muhamed Sytari ka pritur në një
takim të përzemërt Famullitarin e Kishës Ortodokse
në Shkodër, At Nikolla Petani.
Në bisedën e zhvilluar, dy drejtuesit e lartë fetar,
kanë diskutuar rreth realitetit të marrëdhënieve në
mes të Myftinisë dhe Kishës Ortodokse. Ata kanë
vlerësuar frymën e harmonisë në mesin e besimtarëve
dhe qytetarëve në Shkodër dhe kanë konkluduar se
është e domosdoshme të thellohet bashkëpunimi në
mesin e institucioneve fetare në shërbim të kësaj
fryme harmonie që e bën vendin tonë të jetë shembull
edhe për shumë vende të tjera në mbarë botën.
Gjatë bisedës së tij, Imam Muhamed Sytari ka
theksuar se prezenca e besimeve të ndryshme dhe
institucioneve përkatëse që punojnë për të mirën e
besimtarëve dhe frymës së harmonisë, është një
pasuri kombëtare për Shqipërinë dhe shqiptarët. Ai
ka theksuar gjithashtu se është obligim dhe detyrë e
prijësve fetarë, në Shkodër e përtej saj, të ruajnë,
të kultivojnë e të punojnë pa lodhje për harmoninë
ndërfetare në këtë vend.
Në këtë takim është diskutuar edhe për mundësinë e
organizimit të aktiviteteve të përbashkëta në mes të
Myftinisë, Kishës Ortodokse dhe asaj Katolike, në
shërbim të çështjeve që shqetësojnë sot rininë dhe
shoqërinë shqiptare.
Myftiu dhe Famullitari kanë qenë të mendimit se roli
i drejtuesve fetarë dhe i komuniteteve përkatëse
duhet të jetë më aktiv në këtë drejtim, duke
bashkëpunuar për të mirën e kësaj shoqërie dhe
dhënien e zgjidhjeve për shumë probleme që e
shqetësojnë atë, në thelb të së cilave qëndron
largimi nga Zoti, feja dhe besimi.