Paraditën e së hënës, më 21
shkurt 2011, Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari
ka zhvilluar një takim pune me Kryetarin e Bashkisë
Shkodër, z. Lorenc Luka, në zyrën e qytetarit të
parë të kryqendrës veriore.
Gjatë këtij takimi, që ka zgjatur mbi një orë,
Myftiu dhe Kryebashkiaku i Shkodrës kanë diskutuar
për tema të ndryshme që kanë të bëjnë me qytetin,
harmoninë, problemin e pronave të Myftinisë dhe
ndërtimeve pa leje në trojet e saj, si: në Zdralej,
Zogaj e në disa vende të tjera, ku njerëz të
papërgjegjshëm kanë zaptuar këto troje.
Në bisedën e tij, Myftiu ka kërkuar mbështetjen dhe
përkrahjen e Bashkisë Shkodër, në ato çështje që
janë kompetencë e saj, sidomos në ato raste që kanë
të bëjnë me zaptimin e paligjshëm të pronave të
Myftinisë. Ai ka përmendur se bashkëpunimi në mes dy
institucioneve është në nivele të mira dhe se detyra
e drejtuesve të institucioneve shtetërore në Shkodër
është të shikojnë me përparësi shqetësimet dhe
nevojat ligjore të institucioneve fetare në vend. Ai
ka përmendur gjithashtu se gjatë këtyre dy dekadave
të fundit është bërë shumë padrejtësi në hak të
pronave të muslimanëve dhe ka kërkuar asistencë
maksimale nga zyrat e ndryshme shtetërore në
Bashkinë e Shkodrës, që shpesh neglizhojnë me hakun
e Myftinisë Shkodër.
Nga ana e tij Kryetari i Bashkisë Shkodër ka
vlerësuar rolin pozitiv që luan Myftinia Shkodër në
ruajtjen dhe kultivimin e frymës së harmonisë në
mesin e qytetarëve, nëpërmjet aktiviteteve, bisedave
dhe predikimeve fetare etj. Njëkohësisht, ai e ka
garantuar Myftiun se Myftinia Shkodër do të ketë
mbështetjen e Bashkisë në çdo projekt a inisiativë
në shërbim të interesave qytetare në Shkodër.
Në këtë takim është folur edhe mbi marrëdhëniet e
komuniteteve fetare në Shkodër dhe rolin elitar që
po luan Myftinia Shkodër në këtë drejtim.
K. Kraja