Xhahid Bushati
shkrimtar, Shkodër
Kohë më parë Imam Muhamed Sytari
botoi librin “Madhështia e shpirtit Islam...”.[1]
Përmbajtja e këtij libri është refleks i një ftese
nga Qendra Islame Shqiptare Amerikane e Arizonës
(AAIC), nga data 31 gusht deri më 4 tetor 2009, ku
Imam Muhamed Sytari ishte i mirëseardhur dhe i
mirëpritur për të marrë pjesë në aktivitetet fetare
me rastin e muajit të madhënueshëm të Ramazanit dhe
Fitër Bajramit, të zhvilluara në “Greenway Masjid”,
në Phoenix.
Njohja me këtë realitet te ri e të largët siç është
Amerika, shpesh herë në vetvete i shumë ëndërruar,
është tashmë një realitet dhe ti udhëton drejt këtij
realiteti, ku e panjohura dhe e njohura janë
bashkudhëtarë.
Udhëtimi që përkon me muajin e madhënueshëm të
Ramazanit, zbritja në “tokën e lirive”, njohja me
qytete të tilla, si: Phoenix, Glendale, Tempe,
Gilbert etj., (që autorit të librit iu “kthyen në
ditë hixhreti”), njohja me xhematë muslimanë që nuk
i ke menduar se mund t’i takosh ndonjëherë në jetë,
me xhami, akademi, shkolla e institucione fetare etj.,
njohja gjithashtu me njerëz që e duan fenë islame,
që kontribuojnë me devocion etj., - janë pak a
shumë në vija të përgjithshme portreti i këtij libri,
që në palcën e tij ka mirënjohje e falënderime,
mbresa e kujtime, pjesëmarrje e takime të paharruara...;
të cilat flasin për dëshmi autentike e përqasjeje,
të cilat fokusohen si vlera të patjetërsueshme në
madhështinë e shpirtit Islam.
Në paraqitjen e kujtimeve, autori i këtij libri e
paraqet veten në dy pozicione: a) të kundruesit të
kujdesshëm për të parë e për të përfituar çdo gjë të
vlefshme, duke i fiksuar e përjetësuar në shpirtin e
kujtesës. b) si pjesëmarrës aktiv në veprimtari të
ndryshme, si “i panjohur” por në fakt i njohur. Këtë
shkrirje organike, Imam Muhamed Sytari e pohon
kështu: “ditët e kaluara në mesin e muslimanëve
shqiptarë në Amerikë u bënë ditët më të veçanta e më
të larmishme të jetës sime në shërbim të Thirrjes
Islame.”[2]
apo “... të përjetoj së bashku me ta (muslimanët
shqiptarë, - nënvizimi im) kënaqësitë e një muaji
plot besim e shpirt sakrifice.”[3]
Në rrëfimin e tij, sa teologjik aq dhe poetik, Imam
Muhamed Sytari paraqitet si një vëzhgues i hollë dhe
i vëmendshëm gjatë gjithë përjetimeve të tij në
raporte me dukuri të ndryshme të realitetit
ekzistues. Kjo ka bërë që në gjithë tekstin e tij,
të mbizotërojnë detajet (të shprehura herë në mënyrë
të drejtpërdrejtë e herë në mënyrë metaforike) që
mbartin e shprehin ngarkesa emocionale dhe funksione,
si: të përcaktuesit, të mesazhit e të ndërlidhësit
kohor. Doemos rrafshet paraqitës janë të shumtë, por
ne po përqendrohemi në disa prej tyre.
-Edhe në këtë udhëtim të largët drejt Amerikës, Imam
Muhamed Sytari e ka në shpirt Vendlindjen, Shkodrën
e tij të shtrenjtë, herë pas here bisedon me të.
Është njohës i mirë i rrënjëve dhe i historisë së
saj, i diakronisë dhe sinkronisë së saj. Ja, se si i
përshkruan dy figura të rëndësishme me “tharm”
Shkodre: “... në po atë vend (Amerikë, - nënvizim im)
ku gati një shekull më parë kishte shkelur edhe
hoxha shkodran, H. Salih ef. Myftija, në rrugën e
shpëtimit të besimit të tij dhe ruajtjes së
dinjitetit të fesë islame dhe identitetit kombëtar
nga invadorët xhahilë që kishin nisur të
mësynin njëri pas tjetrit Shqipërinë e pas
pavarësisë, në terren, besim e kulturë... Në atë
vend, ku dekada më parë ezheristi shkodran, Imam
Vehbi Ismaili, kishte shkuar për të realizuar
aspiratat e një jete të tërë në shërbim të vlerave
fetare islame dhe kombëtare...”[4]
-Personazhet që “lëvizin” në këtë libër janë
vizatuar në individualitetin e tyre me mjeshtri ku
gërshetohen frytshëm teologjikja me artistiken.
Gjatë leximit nuk mund të harrojmë epitetet
mbresëlënëse të këtyre njerëzve që i ofruan autorit
të librit ngrohtësi, dashuri dhe shpirt Islam. Po
përmendim disa: Imam Ditmar Faja, hoxha i
përkushtuar ndaj komunitetit të tij; Bardhyl
Kosovrasti, aktivisti i zellshëm dhe burri i
devotshëm në rrugën e ruajtjes së dinamikës në xhami
dhe në qendrën Islame Shqiptare; Ylber Fetahu, burri
i urtë dhe dashamirë; Hisa Saiti, shembulli i
njeriut të përkushtuar ndaj familjes, shoqërisë e
xhamisë, etj.
-Libri ka hapësirën e shpirtit Islam. Ai nis me
fjalën e madhërishme Bismil-Lah dhe përfundon (në
fakt me një vazhdimësi fjale) të titulluar: “Gjurmë
besimi”. Brenda këtyre dy nocioneve bashkëjetojnë
dhe udhëtojnë përjetësisht edhe këto sintagma, si:
falënderim dhe mirënjohje, Akademia kulturore e
Arizonës dhe Shkolla Islame në Phoenix, Namazi i
parë i teravisë dhe Dersi i xhumasë, Pasaporta e
Resulull-Llahit dhe sofra e komunitetit indian, miq
në shtëpinë e një myslimani amerikan dhe Intervista
me z. Richard Pedigo, Mevludi në Ramazan dhe Iftari
i Natës së Kadrit, Një natë sa një Jetë dhe Selami i
fundit i një teravie, Madhështia e një feste që na
bashkon të gjithëve dhe... Ishin imazhet e një
Shqipërie të Madhe me shpirt Islam.
- Gjatë qëndrimit në Amerikë, çdo ditë dhe ditët e
marra së bashku kanë disa konkluzione të rëndësishme
e jetike që ka bërë autori duke u ballafaquar me
përditshmërinë e tij si vlerë njohëse, progresive e
vizionare, por, njëkohësisht përbëjnë themelin mbi
të cilën ngrihet godina e librit në fjalë. Ata janë:
1. Dinamika e jetës
2. Hapësirat e shumta si mundësi
3. Harmonia ndërkomunitare
4. Ndjenja e përgjegjësisë.
Këto nocione që kanë dimension identiteti, jetese
dhe ardhmërie zbërthehen përmes argumenteve, të
cilat kanë një bazë historike e përvojë brezash dhe
janë dëshmi e jetës, mësimit dhe realitetit amerikan,
ku kontribuojnë në mënyrë të vlertë e të dobishme
edhe komuniteti mysliman.
Kjo është arsyeja që autori Imam Muhamed Sytari të
gjithë kapitujt e librit i ka vënë në funksion të
ruajtjes dhe të zbërthimit të simbolikës së titullit.
Një zbërthim i karakterit analitik dhe sintetik, që
i japin këtij libri vlerat e një dokumenti jetë e
shpresëdhënës gjurmët e të cilit nuk shuhen kurrë,
sepse në thelb kanë realitetin jetësor dhe
realitetin hyjnor.
[1] Sytari, Muhamed: “Madhështia e shpirtit Islam...” (Kujtime nga Ramazani në “Greenway Masjid” në mesin e shqiptarëvë të Phoenix – AZ), botim i Sh.B. “Camaj-Pipa”, Shkodër, 2010)
[2] Po aty, faqe 12, kapitulli: “Bismil-Lah...”
[3] Po aty, faqe 7, kapitulli: “Falënderim dhe Mirënjohje…”
[4] Po aty, faqe 11, kapitulli: “Bismil-Lah”