Shkurt, 2011
Imam Muhamed
Sytari
Myfti i Zonës Shkodër
Në këto rreshta, do të ndalem në disa elemente të
rëndësishme që duhet t’i prijnë leximit tonë të
jetës së hazreti Muhammedit (a.s) si i dërguar
mëshirë për gjithësinë.
Po të lexojmë me vëmendje ajetin e fundit të sures
Kehf, do të vërejmë një përkufizim interesant dhe
vendimtar për profetin tonë (a.s): “Thuaj: “Unë jam
vetëm njeri, sikurse edhe ju, mua më shpallet se
vetëm një Zot është Zoti juaj, e kush është që e
shpreson takimin e Zotit të vet, le të bëjë vepër të
mirë, e në adhurimin ndaj Zotit të tij të mos e
përziejë askë”. Ajeti i lartpërmendur bën një
përkufizim preçiz : njeri-profet, të cilit i
shpallet revelatë hyjnore.
Kjo revelatë e pastër hyjnore, ndonëse ka një rol
shumë të rëndësishëm dhe vendimtar në jetën 23
vjeçare të hz. Muhammedit (a.s), nuk e bllokoi as e
ngurtësoi asnjëherë mendimin e lirë të
njeriut-profet! Hadithe dhe ngjarje të ndryshme e
vërtetojnë këtë. Në një prej tyre, ai i drejtohet
sahabëve të tij duke iu thënë: “Ju jeni më të ditur
në çështjet e jetës tuaj!”, duke lënë të kuptohet
liria e mendimit dhe arsyetimit njerëzor në Islam.
Meqenëse Muhammedi (a.s) jetoi në një shoqëri me
zakone dhe tradita të përziera edhe me lemenetë
idhujtarie, me shpalljen e revelatës hyjnore, ai nuk
u nda nga disa mendësi të shëndosha që e rrethonin
këtë shoqëri. Me ndihmën e revelatës dhe njohjes së
mirëfilltë të këtyre mendësive ai arriti të bënte
një “revolucion” të paparë historik në shoqërinë e
gadishullit arabik dhe përtej tij.
Më lejoni të ndalem në disa pika për të sqaruar
fjalët e mësipërme:
1. Muhammedi (a.s) dhe zakonet e traditat në
shoqërisë së tij.
Meqenëse Muhammedi (a.s) u përzgjodh për të qenë i
dërguari i fundit i Zotit të botërave, ai mbeti
njeri me integritet të plotë në personalitetin e tij.
Zakonet dhe traditat që ekzistonin në popullin e tij
kaluan shumë shpejt në sitën e mendjes dhe
arsyetimit të tij; të dobishmet i përqafoi dhe i
konfirmoi dhe të kundërtën e tyre e kundërshtoi dhe
e përmirësoi a ndryshoi nëpërmjet shembullit
personal. Ai rregulloi dhe perfeksionoi sistemin e
martesës, divorcit, marrëdhënieve farefisnore,
ushqimin dhe pijen etj, nëpërmjet ajeteve kur’anore
dhe shembullit të tij vetiak.
2. Muhammedi (a.s) dhe idhujt.
Në mënyrë kategorike ai mohoi idhujt dhe adhurimin e
tyre, duke ftuar në mënyrë të prerë dhe pa asnjë
ekuivok në besimin dhe nënshtrimin para Një Zoti të
Vetëm, i udhëzuar nga ajetet e teuhidit, që janë të
shumta në Kur’an.
Asnjëherë, në asnjë moment të jetës së tij nuk iu
përul asnjë idhulli. Ai ishte ende fëmijë, kur murgu
Bahira e pyeti (ndoshta edhe me një tendencë
provokuese): “Pashë Latin dhe Uzzanë, po të pyes,
m’u përgjigj”. Ai u ngrit i zemëruar dhe ia ktheu: “Pash
All-llahun mos më pyet në emër të tyre, pasi nuk kam
urryer gjë si ata!”[1]
3. Muhammedi (a.s) dhe gruaja.
Njeriu profet, kundërshtoi me të madhe dhunën ndaj
grave në shoqërinë e tij, poshtërimin dhe nënçmimin
e tyre. Të drejtat që ato fituan nën hijen e
mësimeve të tij janë një temë më vete, në të cilën
nuk do të ndalem me hollësi në këto rreshta, ndonëse
lexuesi i kulturuar ka plot çfarë të kujtojë në
lidhje me këtë temë.
Edhe sot e kësaj dite, mbarë bota përkujton fjalën e
tij të artë, ku thotë: “Ai që e ka një fëmijë vajzë,
që nuk e groposë të gjallë, që nuk e nënçmon dhe që
nuk e nënvleftëson para djalit të tij, do ta shtijë
All-llahu në xhennet”[2].
4. Muhammedi (a.s) dhe analfabetizmi.
Njeriu profet mohi dhe refuzoi analfabetizmin, pasi
asnjëherë nuk është bashkuar drita e mendjes me
errësirën e injorancës. Si jo, kur fjala e parë
hyjnore që i zbriti ishte leximi dhe zënia e dijes!?
Si jo, kur në Kur’anin që i zbriste Muhammedit (a.s),
Zoti i gjithësisë betohet për lapsin, hoken e bojës
dhe për atë që shkruhet etj.
Lëvizja e parë kundër analfabetizmit e ndërrmarrë
nga njeriu profet, është këmbimi i robëve të luftës
në Bedër, me mësimin e tyre të shkrim-këndimit të
dhjetë muslimanëve.
Është e përhapur në masën e lexuesve të kulturuar të
historisë islame qortimi që ai i bën të diturve që
nuk i mësojnë komshitë e tyre, si dhe i komshive që
nuk mësojnë nga komshitë e tyre të ditur.
5. Muhammedi (a.s) dhe nderi i fjalës.
Njeriu profet, kundërshtoi me të madhe çnderimin e
fjalës në gojë të poetëve të kohës. Këtë e konfirmon
edhe Kur’ani që urdhëron: “E për sa u përket poetëve
(që Muhammedi nuk është i tillë), ata i ndjekin të
humburit (nga e vërteta). A nuk sheh se ata hidhen
në çdo anë (sa lavdërojnë, sa përqeshin)”[3]
Ndërkohë, poezinë serioze, që mbron të vërtetën dhe
prodhon vlerë, ai e mbështeti dhe e bekoi në shumë
momente të jetës së tij, gjë për të cilën dëshmon
historia dhe librat e hadithit.
6. Muhammedi (a.s) dhe mburrja farefisnore.
Njeriu profet e mohoi dhe e kundërshtoi në mënyrë
kategorike mburrjen farefisnore. Para tij nuk kishte
shtëpi të mëdha, por individë të shëndoshë dhe
njerëz prodhimtarë.
Nga Ebu Hurejra transetohet, se i dërguari mëshirë
tha: “All-llahu do të thotë në ditën e kijametit:
Unë ju dhashë farefis dhe ju prodhuat farefis. Unë e
bëra më të dashurin për mua më të devotshimn ndër ju.
Ndërsa ju refuzuat, thatë: filani i biri i filanit
(duke u mburrur me farefis e emra të mëdhenj) Sot,
Unë po lartësoj “farefisin” Tim dhe po poshtëroj
farefisin tuaj. Ku janë të devotshmit… Ku janë të
devotshmit…”[4]
7. Muhammedi (a.s) dhe pijet dehëse.
Njeriu profet luftoi dhe ndaloi përfundimisht
konsumimin e pijeve dehëse. Asnjëherë nuk vuri në
buzën e tij prej tyre. Përfundimisht në një
përshkallëzim prej tre etapash, u komunikoi njerëzve
revelatën hyjnore që ndalon kategorikisht pijet
dehëse.
Ai njëkohësisht tha: “Largohuni nga alkooli! Ai
është çelës i çdo të keqeje!”[5]
Jeta e njeriut profet është e mbushur me momente të
shumta, ku ai gëzon dhe dëfren me familjen, luan dhe
argëtohet me nipat, gatuan, pastron, shëtit me të
shoqen, garon me të duke vrapuar, bën shaka të hollë
me njerëzit në momente të caktuara, kërkon furçën e
dhëmbëve në momentet e fundit të jetës etj.
Si të thuash, jeton një jetë njerëzore normale,
ndonëse ishte profet i përzgjedhur që mbeti
shembulltyrë e pakrahasueshme për njerëzinë, deri në
ditën e fundit.
Prof. dr. Muhammed Revvas Kalahxhi, “Studim analitik i personalitetit të dërguarit Muhammed”, në gjuhën arabe, botimi i parë, Bejrut, 1998, fq. 40.
[2] Ebu Davud.
[3] Shuara, 224-225.
[4] Nga tefsiri i Kurtubiut, 16/345.
[5] Hakimi në “Mustedrek” dhe Bejhakiu në “Shuabul-iman”, nga Ibni Abbasi (r.a).