Dita e hënë, më 14
shkurt 2011, ka shënuar fillimin e
aktiviteteve të larmishme me rastin e
përkujtimit të lindjes së profetit
Muhammed (a.s). Pikërisht në këtë ditë
të bukur, Myftinia Shkodër ka organizuar
një aktivitet fetar në xhaminë “Ebu
Bekër”, e cila ishte mbushur nga
besimtarë e besimtare, të rinj e të reja,
të cilët kishin ardhur për të marrë
pjesë në këtë ceremoni tradicionale.
Në këtë aktivitet ka përshëndetur Myftiu
i Shkodrës Imam Muhamed Sytari dhe imami
i xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Idmir
Plaku. Në fjalën e tij, Myftiu ka
theksuar se fakti i dërgesës profetike
të Muhammedit (a.s) në fundin e
zinxhirit të gjatë të profetësisë, do të
thotë për ne muslimanët se ka ardhur
koha të jemi vula e kësaj shoqërie. Ai
ka theksuar se çdo musliman shqiptar,
gjatë leximit të ajetit që e përkufizon
Muhammedin (a.s) si vulë të profetëve,
duhet të mendojë të bëjë më të mirën për
të qenë koka e shoqërisë së tij në krejt
drejtimet e saj, jo njeri pa vlerë, pa
dobi e pa peshë. Ai ka uruar të
pranishmit dhe mbarë botën islame me
rastin e kësaj ngjarje të shënuar.
Ndërkohë në fjalën e tij, teologu Idmair
Plaku, ka theksuar se Muhammedi (a.s)
ishte shembull i harmonisë në çdo
drejtim të jetës. Ai ishte prijës i
drejtë dhe i urtë. Ai thirri për harmoni
jo vetëm në mesin e muslimanëve por edhe
në raport me besimtarët e feve të tjera.
Prandaj sot, më shumë se kurrë, ne e
kemi për detyrë ta ndjekim dhe ta
pasojmë traditën dhe mësimet e tij.
Aktiviteti ka vazhduar me këndimin e
disa pjesëve nga Mevludi dhe disa ilahi,
nga S. Muçej, V. Dani, Sh. Kapllan, R.
Lika dhe Q. Ujka.
Aktiviteti është përshëndetur edhe nga
Myftiu i Nderit i Shkodrës, H. Faik
Hoxha, i cili pasi ka uruar të
pranishmit për këtë datë të shënuar, ka
nxitur dashurinë dhe përkutjimin sa më
shumë të profetit Muhammed (a.s). Ai ka
thënë, se një musliman i mirë duhet ta
shtojë salavatin dhe ta ketë pjesë të
pandarë të dhikreve ditore.
Një moment shumë emocionues i këtij
aktiviteti fetar ka qenë prezantimi i “Qimes
së Pejgamberit”, e cila është trashëguar
nga shekujt e mëparshëm në Shkodër dhe
është pjesë e traditave të hershme të
hoxhallarëve të saj. Të pranishmit, të
shoqëruar me këndimin e salavatit, e
kanë vizituar dhe puthur këtë gjurmë të
profetit (a.s), duke shprehur
njëkohësisht emocion dhe dashuri për të
dërguarin mëshirë.
Në fund, të pranishmit kanë patur
mundësi të vizitojnë edhe një ekspozitë
me libra dhe gjurmë të traditës
profetike në gjuhë të ndryshme të botës,
sikurse kanë marrë si dhuratë librin
biografik: “Muhammedi i dërguari i
fundit”, me autor studiuesin Mexhid Ali
Kan.
Ky aktivitet ka dhuruar emocione dhe ka
krijuar një atmosferë të ngrohtë besimi
në ambientet e xhamisë “Ebu Bekër”.