Ditën e dielë, më 13
shkurt 2011, nëpërmjet valëve të Tv1
Channel, teleshikuesit kanë patur
mundësinë të ndjekin për rret një orë
bashkëbisedimin që teologu Arben Halluni
ka zhvilluar me Myftiun e Shkodrës Imam
Muhamed Sytari, në një emision të
posaçëm në përkujtim të lindjes së hz.
Muhammedit (a.s), të titulluar: “Të
përkujtojmë profetin e Islamit,
Muhammedin (a.s)”.
Gjatë këtij bashkëbisedimi, Myftiu ka
shpjeguar domethënien e Mevludit dhe
rëndësinë që ka organizimi i tubimeve
fetare që risjellin në vëmendje të
besimtarëve personalitetin e profetit
Muhammed, të dërguarit të fundit të
Zotit në tokë, si mëshirë për mbarë
krijesat. Ai ka thënë se qëllimi i
organizimit të mevludeve dhe përkujtimit
të jetës së Muhammedit (a.s) është
mundësimi i gjetjes së një brezi të
shëndoshë muslimanësh, që me
përkushtimin dhe forcën e Muhammedit (a.s)
e ndërtojnë vendin dhe shoqërinë e tyre.
Myftiu i është përgjigjur edhe pyetjes
në lidhje me veçoritë dhe cilësitë
morale me të cilat karakterizohej
Muhammedi (a.s), para se të dërgohej si
profet. Ai ka përmendur se gjatë gjithë
jetës së tij, Muhammedi (a.s) ka qenë
shembull i përkujdesjes hyjnore ndaj
personit të tij. Ndonëse ai u lind jetim
dhe mbeti jetim që në moshë të vogël,
All-llahu i Madhëruar u përkujdes për të
dhe edukimin e tij, sikurse edhe vetë
profeti (a.s) ka thënë.
Myftiu është ndalur edhe te cilësitë e
Muhammedit (a.s) pas dërgesës profetike,
duke e konsideruar atë si një njeri me
cilësi të jashtëzakonshme, me një urtësi
të pashembullt dhe një largpamësi të
rrallë.
Në fund të këtij bashkëbisedimi, Myftiu
ka bërë një urim të përzemërt për mbarë
muslimanët e Shkodrës, Shqipërisë dhe
krejt botës islame me rastin e kësaj
ngjarje të shënuar në historinë islame.