Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Në fillim të këtij viti, m’u krijua mundësia të udhëtoj drejt vendlindjes sime të dytë, Sirisë. Natyrshëm, përveç takimeve të përzemërta me vëllezër të përjetshëm, ndejave udhërrëfyese me njerëz të ditur e burra të mençur, udhëzimeve plot dije e largpamësi të një Hoxhe mjekërbardhë e bekimeve të tij dritësuese, një ndër mundësitë fatlume që të jep ky lloj udhëtimi është edhe frekuentimi i librarive të pafund të shtëpive botuese më në zë në botën islame. Furnizimi prej tyre është padyshim një investim i bereqetshëm për vete e përtej saj. E, pikërisht në një prej këtyre daljeve, u ndala në “Darul-Kalem”, një shtëpi botuese e njohur, që boton elitën e dijetarëve të botës dhe mendimit islam, nga lindja në perëndim.
           
Një ndër serialët më të spikatur që boton kjo sh.b., është ajo kushtuar dijetarëve të muslimanëve, ku dijetarë të spikatur, shkruajnë për baballarë të dijes e përkushtimit. Fjala bie: Hoxha i jonë, Vehbi S. Gavoçi shkruan për sahabiun Xhabir ibni Abdil-lah, për tabiiun Ebu Hanife. Dikush tjetër shkruan për sahabët Ebu Hurejra, Ibni Omer, Muadh ibni Xhebel, Mus’ab ibni Umejr, Muavije etj, për nënat tona: Hatixhe, Aishe, Hafsa, Zejneb, Um Seleme etj. Për dijetarë të mëdhenj, si: Tabari, Bukhari, Muslim, Tirmidhi, Hasan Shejbani etj. Për dijetarë të mëvonshëm si:  Fudejl ibi Ijad, Kadi Ijad, Shatibi etj.

E, në mesin e një morie të pafund studimesh kompetente monografike për këta emra të shquar, më tërhoqi drita e Imam Neveviut (631 h. – 676 h.), dijetarit të shquar nga Nevaja, pranë Golanit, në rrethin e Damaskut. Më tërhoqi drita e këtij njeriu, për të cilin të mëdhenjtë e ymetit, si Imam Dhehebiu, e përkufizonin me këto fjalë: “Imami, Hafizi i pashoq, shembulltyra, Shejkhul-Islami, bajraku i eulijave, autori i librave të dobishëm”.
           
Duke lexuar detaje interesante nga jeta dhe vepra e Imam Neveviut, më tërhoqi vëmendjen edhe kjo ndodhi, që e rrëfen nxënësi i tij, Ibnul-Attar. Thotë: “Më ka treguar, mëshirë pastë, (dmth, Imam Neveviu): Isha sëmurë dhe po qëndroja në medresenë Ravahije. Në një prej netëve, teksa rrija në ballkonin lindor të saj, babai, vëllezërit dhe ca të afërm të mi po flinin. Ndjeva se All-llahu më dha forcë e zell dhe më liroi nga dhimbjet që kisha. Ndjeva se nefsi im ishte përmalluar për të bërë dhikër. Mora të bëj tesbih. Herë me zë e herë pa zë. E, teksa ndodhesha në këtë gjendje, pashë një hoxhë me pamje të bukur, që kishte hyrë në safallekun e medresesë dhe po merrte abdes te burimi. Ishte mesnatë, a më shumë. Kur e përfundoi abdesin, m’u afrua dhe më tha: Mos bëj dhikër, biri im, sepse do ta zgjosh babën, vëllezërit, të afërmit e krejt ata që po flejnë! E pyeta: Kush je ti? Tha: Jam një këshillues dhe le të jem kush të jem!  

Mua, më erdh në zemër se ky mund të jetë vetë shejtani dhe thashë: Eudhu bil-lahi minesh-shejtanirr-rraxhim dhe e ngrita zërin duke bërë dhikër. Ai, u shmang dhe u largua me të shpejtë nga dera e medresesë.

Babai dhe të afërmit u zgjuan, ndërsa unë vrapova drejt derës, që e gjeta të mbyllur. Kërkova andej-këndej, por nuk e pashë më. Babai, më pyeti: Çfarë ndodhi mor bir? I tregova. Të gjithë mbetën të habitur.
Ndërkohë, sëbashku u ulëm të bëjmë tesbih e dhikër…”[1]

Pasi e lexova këtë rrëfim, përveç lutjeve të sinqerta dhe rahmeteve për shpirtin e Imam Neveviut, u luta që All-llahu të na ruajë nga shejtani dhe taborrat e tij, që më shumë se kurrë në këto kohë kanë vërshuar gjithandej, në çdo skaj të realiteteve ku jetojmë e punojmë… dhe u ula të bëj dhikër…

Shkodër, janar, 2011



[1] Abdulgani Dakr, “El-Imamun-Nevevi”, botimi i V-të, Damask, 2005, fq. 99-100.