Mbrëmjen e së dielës,
më 30 janar 2011, Myftiu i Shkodrës ka
ftuar për një darkë miqësore drejtuesit
kryesorë të tre komuniteteve fetare të
Shkodrës.
Në rolin e mikpritësit, Imam Muhamed
Sytari i ka uruar mirëseardhjen At
Aleksandër Petanit, që shoqërohej edhe
nga At Nikolla Petani. Pasi ka
falënderuar drejtuesit më të lartë të
Kishës Ortodokse për përgjigjen e ftesës
dhe mundësinë e gjetur për të kaluar
këtë mbrëmje sëbashku, Myftiu ka
përmendur se kjo darkë shërben më së
miri për të shprehur realitetin e
marrëdhënieve në mesin e përfaqësive
fetare në Shkodër.
Gjatë kësaj darke, drejtuesit e
Myftinisë dhe ata të Kishës Ortodokse në
Shkodër kanë diskutuar për çështje të
ndryshme që kanë të bëjnë me zhvillimet
fetare në vend e përtej tij. Krerët e dy
institucioneve kanë qenë të mendimit se
takime të tilla e afrojnë edhe më tepër
shpirtin e bashkëpunimit në mes të
institucioneve fetare në Shkodër, për të
ofruar zgjidhje të përbashkëta për shumë
çështje që shqetësojnë sot rininë,
familjen, masat e gjera të shoqërisë.
Ata kanë rënë dakort që të shpeshtohen
kontaktet në mënyrë të rritet fryma e
bashkëpunimit dhe harmonisë ndërfetare
në mes të përfaqësuesve të dy
komuniteteve më të mëdha fetare në
Shqipëri, atij musliman dhe atij
ortodoks.
Darka, që është ndjekur edhe nga media,
ka qenë një dëshmi e sinqertë e një
fryme konstruktive të përpjekjeve për të
ruajtur një traditë të pasur fetare e
kombëtare të vendit tonë, që është
pikërisht harmonia dhe bashkëpunimi në
mes të komuniteteve fetare.
I pyetur nga media për një mesazh në
lidhje me këtë darkë, Myftiu është
përgjigjur: “Mesazhi më i mirë është kjo
që shihni me sytë tuaj!”
Në këtë darkë, Myftiu shoqërohej nga
teologu Arben Halluni.
|
|
|
|