Nga minberi i xhamisë
së Tophanës, ditën e xhuma, më 28 janar
2011, Myftiu Imam Muhamed Sytari ka
folur mbi rëndësinë që ka sot përkujtimi
i lindjes së hz. Muhammedit (a.s), si
një njeri I madh që u përzgjodh nga Zoti
i gjithësisë për të përmbyllur mesazhin
hyjnor dhe për të qenë mëshirë,
tolerancë, lehtësim e harmoni për mbarë
botërat.
Myftiu ka theksuar se misioni i hz.
Muhammedit (a.s) ishte krejt ringjallje
dhe ripërtëritje e mesazheve të
mëparshme hyjnore të zbritura profetëve
të mëprashëm. Ai ka përmendur se është e
nevojshme sot të kujtojmë se ai u dërgua
me urtësi e mëshirë, jo me shpatë e
dhunë, sikurse shpesh dëgjojmë.
“Po afron dita, kur ne dhe mbarë bota
islame përkujtojmë lindjen e pejgamberit
tonë (a.s) që u dërgua mëshirë për mbarë
botërat. E, pikërisht në këtë kohë,
secili prej nesh e ka për detyrë të
shohë me shumë vëmendje në zemrën e tij,
për të gjetur lidhjet e pastra e të
sinqerta me njeriun që solli të rejat
absolute, përhapi fenë e tij me
tolerancë, dashuri e drejtësi dhe
komunikoi me mendjen e pastër dhe
thelbin e secilit! E them këtë, sepse
akoma sot ka gafilë e xhahilë, që
bërtasin poshtë e përpjetë duke thënë se
Muhammedi nuk solli asgjë të re, përhapi
fenë e tij me dhunë e shpatë dhe se feja
e tij nuk ka asnjë lidhje me mendjen!”-
ka thënë Myftiu.
Pas namazit të xhumasë, Myftiu është
takuar me përzemërsi me xhematin e
Tophanës, me të cilët ka këmbyer biseda
të ngrohta dhe ka kujtuar ditët e
shkuara, kur ai shërbente si vaiz e
hatib në këtë xhami.
|
|