Deklaratë për
shtyp e KMSh
Të gjithë kemi qenë dje dëshmitar të një
situate aspak të denjë dhe të merituar
për vendin tonë.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë shpreh
keqardhjen e tij për jetët e humbura, si
dhe për dhunën dhe kaosin e shfaqur dje
në orët e pasdites në bulevardin “Dëshmorët
e Kombit”.
I bëjmë thirrje të gjithë popullit për
vetëpërmbajtje dhe të mos bien pre e
asnjë provokimi dashakeqës dhe
urrejtjendjellës, që mund të bëhet shkak
për përsëritjen e skenave të tilla, pasi
si policët edhe protestuesit janë
vëllezërit tanë dhe bijtë e këtij vendi.
Duhet të kemi parasysh se kaosi sjell
kaos dhe dhuna sjell dhunë, për
rrjedhojë të gjithë jemi të humbur dhe
nuk ka fitimtarë. Që të funksionojë
shteti ligjor, të gjithë duhet të
respektojmë ligjin.
Gjithashtu, inkurajojmë të gjithë
faktorët kombëtarë dhe ndërkombëtarë në
vend që të forcojnë urat e dialogut dhe
mirëkuptimit si dhe të bëjnë përpjekjet
maksimale për ruajtjen e stabilitetit
dhe qetësisë publike, në të mirë të
vendit dhe të shoqërisë.
Sot, më tepër se për çdo gjë tjetër,
shoqëria jonë ka nevojë për tolerancë,
mirëkuptim dhe dialog të ndërsjellët,
pasi këto janë komponentë shumë të
rëndësishëm për demokracinë dhe paqen
sociale; dhe janë streha jonë e vetme
teksa ecim drejt të ardhmes tonë
evropiane si një komb i tërë.
Zyra e shtypit e KMSH
Ndërkohë, ditën e shtunë, më 22 janar 2011,
Imam Muhamed Sytari ka bërë një deklaratë për mediat
vizive, ku ka dënuar dhunën dhe ekstremizmin
mesjetar të shfaqur dje në kryeqytet. Ai ka dënuar
edhe “thirrjet raciste e të çmendura të ndonjërit që
ndjell fatkeqësi e që bën krahasime raciste në
historinë tonë kombëtare”.
Myftiu është lutur për të gjithë ata që e kanë
humbur udhëzimin dhe kanë rënë pre e thirrjeve të
shejtanit, që fton për mosbesim, dhunë, ekstremizëm
e intolerancë.