Të enjtën, më 20
janar 2011, është mbledhur Këshilli i
Myftinisë Shkodër, në takimin e parë për
vitin 2011. Në rend të ditës ka qenë
raporti vjetor i Myftinisë Shkodër,
arritjet dhe objektivat e saj për vitin
që ka nisur.
Në fjalën e tij, Myftiu Imam Muhamed
Sytari ka vlerësuar arritjet e Myftinisë
së tij, duke spikatur aktivitetet e
larmishme fetaro-shkencore, tribunat
teologjike, organizimet e brendshme dhe
të jashtme etj.
“Në raportin vjetor të Myftinisë Shkodër
për vitin 2010, janë përfshirë të gjitha
aktivitetet e zhvilluara nga kjo Myftini,
nga data 22 prill 2010 deri në fund të
vitit kalendarik 2010. Në këtë raport
përfshihen të gjitha zhvillimet e
Myftinisë Shkodër, me krejt sektorët e
saj.
Vlen të përmendet se gjatë kësaj
periudhe, Myftinia ka një vijueshmëri
normale të aktivitetit të saj, sikurse
duhet theksuar se institucioni i
Myftinisë Shkodër ka bërë më të mirën
gjatë këtij viti për përmirësimin e
imazhit të vet në opinionin e gjerë, si
një proces në rritje.
Një prioritet i veçantë gjatë vitit 2010
i është dhënë aktiviteteve fetare dhe
tribunave shkencore, normalizimit,
përmirësimit dhe vënies në vijën e duhur
zyrtare të marrëdhënieve institucionale
me shoqatat, organizatat, komunitetet
fetare dhe organizmat shtetërore.
Pronat e Myftinisë, çertifikimi i tyre,
hapja e gjyqeve të reja dhe vazhdimi i
gjyqeve të hapura, kontaktet zyrtare me
anë të shkresave etj, për kthimin e
pronave të ozurpuara, ka qenë një tjetër
objektiv i kësaj Myftinie, që është
realizuar sipas të dhënave të sqaruara
më poshtë në pjesën e çështjeve juridike.”-
ka thënë Myftiu.
Më pas ai ka lexuar me detaje raportin e
këtij viti, ku nuk ka lënë pa
falënderuar edhe stafin e kësaj Myftinie,
Këshillin e Imamëve, Këshillin e
Myftinisë dhe të gjithë ata që kanë
kontribuar për mbarëvajtjen e punës
gjatë këtij viti.
Pas përfundimit të leximit të raportit,
janë bërë edhe ndërhyrje nga anëtarë të
Këshillit të Myftinisë, të cilët kanë
diskutuar rreth arritjeve dhe
objektivave të këtij viti.