Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë Haxhi Selim Muça është pritur sot me dt. 11 Janar 2011 në një takim të veçantë nga Ministri i Arsimit dhe i Shkencës z. Myqerem Tafaj.

Në këtë takim zyrtar Kryetari i KMSH-së shoqërohej nga Sekretari i Përgjithshëm i KMSH-së z. Ali Zaimi, Nënkryetari z. Gazmend Aga dhe Drejtori i Marrëdhënieve me Publikun dhe Median z. Agron Hoxha, ndërsa Ministri i Arsimit z. Myqerem Tafaj shoqërohej nga zv/Ministri z. Halit Shamata, Sekretari i Përgjithshëm i MASH z. Skender Uku, Drejtori i Arsimit Privat z. Arian Shahini dhe funksionare të tjerë të lartë të kësaj ministrie.

Tema kryesore e këtij takimi ka qenë projektligji i shumëpërfolur i arsimit parauniversitar në Republikën e Shqipërisë. H. Selim Muça i ka përcjellë Ministrit Tafaj shqetësimin e besimtarëve myslimanë në mbarë vendin në lidhje me këtë projektligj, ku veçanërisht pika 4 e nenit 36 ka ngjallur debate të shumta lidhur me kuptimin dhe interpretimin e saj. Kjo pikë është interpretuar dhe po vazhdon të interpretohet si masë ndaluese veçanërisht për mbajtjen e shamisë-mbulesë e kokës (flokëve) të vajzave myslimane gjatë frekuentimit të institucioneve arsimore publike dhe private në Republikën e Shqipërisë.

Ai e ka sqaruar Ministrin Tafaj se mbulesa e flokëve nuk është një simbol fetar, por është praktikë fetare dhe është një urdhëresë kur’anore obligative për të gjitha vajzat që kanë mbushur moshën e pjekurisë. Ajo nënkupton mbulimin e flokëve dhe jo të fytyrës, që është e njëjta shami e cila nga pikëpamja pamore e saj ka gjetur dhe gjen mbrojtje e mbështetje të plotë sa i takon mosndalimit të saj në ememetimin e dy prej dokumenteve më të r��ndësishme në vend e jashtë Shqipërisë, siç janë kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. E theksojmë këtë mosndalesë të shamisë në kuadër të dokumentacionit, për ta bërë edhe më të qartë praktikën fetare të pretenduar: shami që mbulon flokët dhe jo fytyrën, duke gjykuar se mbajtja e saj dhe respektimi i veshjes në tërësinë e saj, nuk cenon në asnjë rast uniformën shkollore e mund të qëndrojë paralelisht me këtë të fundit.

Nga ana e tij Ministri Tafaj e ka garantuar Kryetarin e KMSH-së se nuk të ndërmerret asnjë nismë zyrtare për miratimin e projektligjit në fjalë pa u marrë në konsideratë sugjerimet e grupeve të interesit. Ai u shpreh se, “Projektligji është në diskutim publik dhe nuk është përfundimtar. Ligji nuk mund dhe nuk do të bjerë ndesh me kushtetutën e vendit dhe me ligjin e mosdiskriminimit. Ky projektligj në variantin e tij final do të jetë gjithashtu në përputhje të plotë me sugjerimet e Bashkimit Evropian. Gatishmëria e MASH është maksimale për të konkluduar çdo gjë me gjuhën e mirëkuptimit. Sipas ministrit Tafaj nuk ka paragjykim dhe as pozicionim nga ana e MASH. Ligji në vetvete do ngrejë nivelin e arsimit. Po projektohet që në programin mësimor të mundësohet futja e lëndës “kulturë fetare”.

Projektligjin e kanë kundërshtuar shumë organizata joqeveritare, por reagimi i parë zyrtar ndaj këtij projektligji ka ardhur nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë që më datë 27 Dhjetor 2010 dhe po ashtu diskutimi i parë publik me një grup interesi është ky i sotmi mes KMSH-së dhe MASH.

Ministri theksoi gjithashtu se parimi i MASH është që çdo nxënës të gjejë vend në hapësirën e arsimit publik. Ligji thotë që armimi para universitar është falas. Në thelb të ligjit qëndron fakti që çdo fëmijë dhe çdo nxënës të ndihet komod në shkollat publike, aq më pak për arsye veshjeje apo sjelljeje. Ligji prek 650 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në grup moshat nga 3-18 vjeç, që frekuentojnë arsimin bazë të  detyrueshëm. Ju garantoj që drafti do të pësojë mjaft përmirësime në përmbajtje. Ligji do t’i përmbahet në radhë të parë kushtetutës dhe ligjit kundër diskriminimit dhe institucioneve ndërkombëtare. Të jeni të bindur që do të kemi bashkëpunim deri në fund me ju deri në gjitha hallkat. Ky ligj në variantin e tij final do të jetë konsensual i pranuar nga të gjithë palët dhe grupet e interesit.

Më poshtë po publikojmë të plotë shkresën zyrtare që i është dërguar Ministrisë së Arsimit, Kryeministrit dhe Komitetit Shtetëror për Kultet në lidhje me projektligjin, me nr. prot. 581 dt. 27.12.2010.

Drejtuar:      Z. Myqerem Tafaj - Ministër i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës

Për dijeni:          Kryeministrit të Shqipërisë, Prof. Dr. Sali Berisha
                         Kryetarit të Komitetit Shtetëror për Kultet Av. Rasim Hasanaj

I nderuar z. Ministër!

Më lejoni ta nis këtë letër duke Ju përgëzuar për punën e mirë që keni bërë në krye të ministrisë që ju drejtoni.

Në vijim të debateve të ngritura ditëve të fundit në median shqiptare, lidhur me projekt-ligjin për arsimin parauniveristar në Republikën e Shqipërisë,

Duke e vlerësuar nevojën për një projekt-ligj në tërësinë e tij në dobi të së tashmes e të së ardhmes së vendit, në përmbushje të të gjitha nevojave të fëmijëve tanë, por edhe të stafit arsimor si një subjekt që preket drejtpërsëdrejti nga ky projekt-ligj,

Duke e vlerësuar veçanërisht formimin shpirtëror e më gjerë njerëzor të çdo nxënësi, në përgjithësi gjendjen e nevojat shpirtërore të çdo njeriu, dhe në këtë aspekt rolin e padiskutueshëm, plotësues e të nevojshëm të fesë posaçërisht në rrafshin e ushtrimit të praktikave individuale,

Në zbatim e respekt të legjislacionit aktual në vend, të përshkruar më poshtë, si dhe duke përcjellë tek ju zërin e shqetësimin e besimtarëve myslimanë në mbarë vendin të cilët kanë kontaktuar në vazhdimësi institucionin tonë,

Ju parashtrojmë sa më poshtë:

Projekt-ligji për arsimin parauniveristar, parashikon ndër të tjera në nenin 36 të tij:

NENI 36
NDALIME TË DISA VEPRIMTARIVE NË INSTITUCIONIN ARSIMOR

.....................................
2. Në institucionet arsimore ndalohet indoktrinimi ideologjik i nxënësve.
.....................................

4. Ndalohet ekspozimi i simboleve fetare në institucionet arsimore, përveçse në shkollat ku mësohen lëndë fetare.

I nderuar z. Ministër!

Veçanërisht pika 4 e këtij neni ka ngjallur debate të shumta lidhur me kuptimin dhe interpretimin e saj. Megjithëse titulli i nenit dukshëm bën fjalë për veprimtari në ambientet e institucionit apo veprimtari të kryera nga ana e vetë institucionit, po ashtu edhe klasifikimet që përmban neni nënkuptojnë qartazi veprimtari dhe në asnjë rast nuk përfshijnë praktika të rrafshit personal të individit dhe as shprehje të detyrimeve e të praktikave fetaro-individuale të tij si një e drejtë dhe liri e ushtrimit të fesë në jetën publike dhe atë private, pika 4 e nenit 36 është interpretuar dhe po vazhdon të interpretohet si masë ndaluese veçanërisht për mbajtjen e shamisë-mbulesë e kokës (flokëve) të vajzave myslimane gjatë frekuentimit të institucioneve arsimore publike dhe private në Republikën e Shqipërisë.

Gjejmë me vend këtu të sqarojmë kuptimin dhe përmbajtjen e kësaj praktike, që nënkupton mbulimin e flokëve dhe jo të fytyrës, që është e njëjta shami e cila nga pikëpamja pamore e saj ka gjetur dhe gjen mbrojtje e mbështetje të plotë sa i takon mos-ndalimit të saj në emetimin e dy prej dokumenteve më të rëndësishme në vend e jashtë Shqipërisë, siç janë kartat e identitetit dhe pasaportat biometrike. E theksojmë këtë mos-ndalesë të shamisë në kuadër të dokumentacionit, për ta bërë edhe më të qartë praktikën fetare të pretenduar: shami që mbulon flokët dhe jo fytyrën, duke gjykuar se mbajtja e saj dhe respektimi i veshjes në tërësinë e saj, nuk cenon në asnjë rast uniformën shkollore e mund të qëndrojë paralelisht me këtë të fundit.

Pse shkelje?

Shkurtimisht, duke e lënë të hapur diskutimin dhe bashkëpunimin e mëtejshëm midis institucioneve tona, po bëjmë një përshkrim të shkurtër të së drejtës së shkelur dhe të legjislacionit aktual që e mbron atë:

E drejta e ushtrimit të lirë të fesë, e praktikave, riteve fetare etj., ka gjetur vend herët në ligjin bazë të shtetit në Kushtetutë, në nenin 24:

1. Liria e ndërgjegjes dhe e fesë është e garantuar.

2. Secili është i lirë të zgjedhë ose të ndryshojë fenë ose bindjet, si dhe t’i shfaqë ato individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.

3. Askush nuk mund të detyrohet ose të ndalohet të marrë pjesë në një bashkësi fetare ose në praktikat e saj, si dhe të bëjë publike bindjet ose besimin e tij.

Përforcohet në nenin 10/2 të Kushtetutës:

2. Shteti është asnjanjës në çështjet e besimit e të ndërgjegjes dhe garanton lirinë e shprehjes së tyre në jetën publike.

Neni 15/1

Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të padhunueshme dhe qëndrojnë në themel të të gjithë rendit juridik.

Neni 57/1

1. Kushdo ka të drejtën për arsimim.

Sa më sipër, duke qenë se feja islame ka praktikat e saj, prej të cilave shamia është njëra prej tyre, vlerësojme se interpretimi që po i bëhet nenit 36/4 të projekt-ligjit aktual për arsimin para-univerister përbën një shkelje te rëndë të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë.

Çdo ligj i miratuar në Republikën e Shqipërisë, deri edhe çdo rregullore e brendshme shkolle (publike apo private), veçanërisht sa i takon sferës së lirive dhe të drejtave, është dhe duhet të jetë në përputhje të plotë me Kushtetutën, Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, dhe në asnjë mënyrë nuk mund t’i tejkalojnë parashikimet kufizuese të këtyre të fundit. Ndër të tjera, në hierarkinë e ligjeve brenda territorit të Republikës së Shqipërisë, kjo Konventë, zë një vend të posaçëm dhe është drejtpërsëdrejti e zbatueshme në vend.

Veç saj dhe gjithmonë në zbatim të vetë parashikimeve të Kushtetutës, aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar lidhur me aplikimin e tyre kanë fuqi ligjore të plotë brenda territorit shqiptar, janë dhe në këtë kuadër duhet të jenë baza ligjore e pikë-nisja për çdo projekt-ligj në çdo moment-takim të tyre. (Kushtetuta, neni 116).

Më gjerë, çdo nismë ligjore e ndërmarrë në çfarëdo niveli, duhet të jetë në përputhje të plotë e jo te bjerë në kundërshtim apo të parashikojë shkelje që bien në kundërshtim me legjislacionin primar të vendit.

Sa më lart, në mbrojtje të kësaj të drejte të shkelur, për çdo subjekt të këtij projekt-ligji, në kuadër dhe brenda ambienteve të institucioneve të arsimit publik apo privat në Republikën e Shqipërisë, janë edhe aktet e mëposhtme:

- Konventa Evropiane e të Drejtave të Njeriut;

- Konventa për të Drejtat e Fëmijës, miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara (neni 1, neni 3, neni 29/ d);

- Deklarata Universale e të Drejtave të Njeriut, miratuar dhe shpallur nga Asambleja e Përgjithshme – rezoluta 217A (III);

- Konventa mbi luftën kundër diskriminimit në fushën e arsimit, miratuar nga Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara për arsimin, shkencën dhe kulturën.

Interpretimi që po i bëhet nenit 36 të Projekt-ligjit për arsimin parauniveristar, bie ndesh me një tjetër ligj të sapomiratuar nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë “Ligji për mbrojtjen nga diskriminimi”, një ligj tejet i rëndësishëm për realitetin shqiptar, i propozuar dhe miratuar në kuadër të harmonizimit të legjislacionit të brendshëm me atë të Bashkimit Evropian, dhe më tej në kuadër të vetë integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ky ligj sanksionon ndër të tjera sa më poshtë:

Neni 1

Objekti


Ky ligj rregullon zbatimin dhe respektimin e parimit të barazisë në lidhje me gjininë, racën, ngjyrën, etninë, gjuhën, identitetin gjinor, orientimin seksual, bindjet politike, fetare ose filozofike, gjendjen ekonomike, arsimore ose shoqërore, shtatzëninë, përkatësinë prindërore, përgjegjësinë prindërore, moshën, gjendjen familjare ose martesore, gjendjen civile, vendbanimin, gjendjen shëndetësore, predispozicione gjenetike, aftësinë e kufizuar, përkatësinë në një grup të veçantë, ose me çdo shkak tjetër.

Neni 3

Përkufizimet


1. "Diskriminimi" është çdo dallim, përjashtim, kufizim apo preferencë, bazuar në cilindo shkak të përmendur në nenin 1 të këtij ligji, që ka si qëllim apo pasojë pengesën apo bërjen e pamundur të ushtrimit në të njëjtën mënyrë me të tjerët, të të drejtave e lirive themelore të njohura me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, me aktet ndërkombëtare të ratifikuara nga Republika e Shqipërisë, si dhe me ligjet në fuqi.

Neni 10

Ndërgjegjja dhe feja


1. Ndalohet diskriminimi lidhur me ushtrimin e lirisë së ndërgjegjes dhe fesë, veçanërisht kur ka të bëjë me shprehjen e tyre individualisht ose kolektivisht, në publik ose në jetën private, nëpërmjet kultit, arsimimit, praktikave ose kryerjes së riteve.

Veçanërisht Kreu III që specifikon mbrojtjen nga diskriminimi në fushën e arsimit, si një formë e veçantë e mundësisë së konsumimit të diskriminimit, parashikon sa më poshtë:

KREU III
MBROJTJA NGA DISKRIMINIMI NË FUSHËN E ARSIMIMIT

Neni 17

Ndalimi i diskriminimit


1. Ndalohet çdo dallim, kufizim ose përjashtim që bazohet në shkaqet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji dhe që, ndër të tjera, ka lidhje me:

2. Ndalohet t'i refuzohet një personi ose një grupi personash pranimi në një institucion arsimor publik, për shkaqet e përmendura në nenin 1 të këtij ligji.

Më tej, e drejta per arsimim, pa qenë subjekt i diskriminimit për shkak të fesë, diskriminim i cili bëhet i qartë dhe i dukshëm vetëm në ata nxënës që praktikojnë fenë sa i takon praktikave fetare të detyrueshme (psh. shamisë që mbulon flokët), është e garantuar dhe e mbrojtur edhe vetë brenda këtij projekt-ligji në nenin 6 të tij si më poshtë:

NENI 6

E DREJTA PËR ARSIMIM


1. Arsimimi parauniversitar (më tutje “arsimimi”) në Republikën e Shqipërisë garantohet me Kushtetutë për të gjithë shtetasit e saj;

2. Të gjithë qytetarëve të Republikës së Shqipërisë ose shtetasve të huaj që banojnë në Republikën e Shqipërisë, në moshën e përcaktuar nga ky Ligj, brenda kufijve të Republikës së Shqipërisë, u sigurohet ndjekja e institucioneve arsimore pa asnjë lloj diskriminimi për shkak të racës, ngjyrës, seksit, gjuhës, besimit ose përkatësisë fetare, kombësisë, origjinës etnike ose sociale, pronës, përkatësisë farefisnore, gjendjes shëndetësore ose ndonjë status tjetër të qytetarit;

3. Të gjithë fëmijëve dhe të rriturve u sigurohet e drejta e mundësive të barabarta për të ndjekur institucionet arsimore.

E drejta për të vazhduar shkollën e mesme, për të ndjekur arsimin parauniversitar por jo vetëm, është një e drejtë që është pretenduar e njohur nga një sërë institucionesh e organizatash të një rëndësie të veçantë si Avokati i Popullit, OSBE, etj. Kjo e fundit e ka vlerësuar veprimin e përjashtimit të vajzave me shami në shkollën e mesme “Asim Vokshi” në Tiranë në fund-vitin 2000 - 2001, si një shkelje të rëndë të një të drejte dhe lirie themelore, njëkohësisht një shkelje e akteve ndërkombëtare të ratifikuara nga shteti shqiptar. Gjatë periudhës së sipërpërmendur, pengimi i frekuentimit të shkollës së mesme “Asim Vokshi”, Tiranë, nga vajzat me shami është marrë në mbrojtje duke u cilësuar si shkelje nga një projekt i mirënjohur i kohës “Klinika Ligjore për të Miturit”, dhe në mënyrë të vazhduar edhe sot nga një prej organizatave më në zë në vend në mbrojtje të lirive dhe të të drejtave, ajo e Grupit Shqiptar të të Drejtave të Njeriut.

I nderuar z. Ministër!

Kjo është një përmbledhje e qëndrimit tonë sa i takon çështjes më të fundit – të cilën e cilësojmë si shkelje - mbi ndalimin e mbajtjes së shamisë (dhe e çdo praktike të detyrueshme fetare nga ana e çdo subjekti të cenuar), në institucione të arsimit parauniveristar, në kuadër të arsimimit, punësimit, etj.

Në mënyrë që kjo çështje të shkojë drejt një zgjidhjeje sa më të shpejtë, që në të ardhmen interpretimi i nenit në fjalë të Projekt-ligjit për arsimin parauniversitar të mos lerë vend për ekuivoke, në mënyrë që sidomos pika 4 e nenit 36 të jetë e qartë dhe lehtësisht e dukshme në interpretimin e saj, në mënyrë që të kuptohet se në asnjë rast ky nen nuk bën fjalë dhe nuk përfshin ushtrimin individual të fesë si nga nxënësit/et, ashtu edhe nga mësuesit/et për sa kohë mësimdhënia dhe mësimnxënia kryhet vetëm brenda kufijve të kurikulave dhe programit mësimor të miratuar, dhe se neni respekton për çdo rast dinjitetin, individualitetin, identitetin dhe përkatësinë e të tjerëve, se ai përmbush të gjitha kriteret që të bëjë të mundur e të realizojë ushtrimin e lirë të praktikave fetare dhe shprehjes së tyre qetësisht në publik dhe jetën private, kërkojmë ndryshimin veçanërisht të pikës 4 të nenit 36 në një formë tjetër gjuhësore, duke i adresuar asaj shqetësimet tona dhe duke marrë përgjigje për to. Konkretisht, të bëhet e qartë në të lexuar të lirë të nenit dhe në të interpretuar të tij, se norma në fjalë përkon vetëm me moslejimin e vendosjes së objekteve me përmbajtje e simbolikë fetare brenda ambienteve të institucioneve arsimore, qofshin relike, panorama, objekte vizive apo audio.

Ndër të tjera, sugjerojmë brenda mundësive, një qartësim edhe të dispozitave që bëjnë fjalë për indoktrinimin fetar dhe atyre mbi laicizmin. Duke vlerësuar e përkrahur rolin dhe pozicionin asnjanjës të Shtetit dhe më tej të çdo institucioni të tij sa i takon fesë e besimit, duke vlerësuar se përpos laicizmit asnjë institucion nuk mund të rregullohet nga ligje apo të ketë rregullore që bien ndesh me liritë e të drejtat e njeriut, duke e njohur të mirëqenë se laicizmi përmbushet plotësisht me të ndaluarit e propagandës fetare në ambientet e institucioneve arsimore e më gjerë, vërejmë me vend qartësimin e lartcituar, në mënyrë që të lihet e hapur një mundësi mbi marrjen e njohurive krahasuese të teorive filozofike ose të cdo lloji, përfshirë në këtë kuadër edhe atë fetare të këndvështrimit mbi gjithësinë, mbi qenien njerëzore, botën e saj, ekzistencën, etj.

Gjithashtu, shquajmë një paqartësi apo një pasaktësi në nenin e mëposhtëm, i cili përmend vetëm arsimin parauniveristar publik, kur vetë ky projekt-ligj bën ndarjen në institucione arsimore publike dhe private, ndërsa arsimi parauniversitar i përfshin të dyja këto (duke lënë mënjanë këtu institucionet arsimore fetare që rregullohen me ligj apo marrëveshje të posaçme), në mënyrë që për asnjë rast të mos mendohet se institucionet arsimore private (që më poshtë nuk janë përmendur), janë te përjashtuara nga përfshirja në laicizim e për rrjedhojë mund të bëjnë propagandë fetare:

NENI 5

LAICITETI I ARSIMIT PARAUNIVERSITAR


1. Arsimi parauniversitar publik ka karakter laik.
Në mbyllje, në kuadër edhe të Marrëveshjes aktuale ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, veçanërisht të qëllimit të saj mbi garantimin e realizimit të të drejtave të sanksionuara nga Kushtetuta dhe ligjet në fuqi në lidhje me lirinë e ndërgjegjes dhe të fesë, mbetemi në mirëpritje të çdo ftese tuajën për bashkëpunim, sa i takon mbrojtjes dhe përmbushjes së të drejtës së mbajtjes së shamisë nga ana e vajzave dhe e grave myslimane, por edhe të çdo praktike tjetër individuale fetare, si dhe të çështjeve të tjera aktuale e të mëvonshme, dhe shpresojmë në vazhdimësinë e diskutimeve ndërmjet institucioneve tona, në një përgjigje pozitive nga ana juaj deri në zgjidhjen e plotë të problemit.

Paraprakisht Ju falënderojmë për bashkëpunimin dhe hapësinë ndaj nesh.

Me Konsideratë
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë
H. Selim Muça