Nga data 30 dhjetor
2010 - 6 janar 2011, Myftiu i Shkodrës
Imam Muhamed Sytari ka zhvilluar një
vizitë zyrtare në Republikën Arabe të
Sirisë, ku ka zhvilluar takime të shumta
dhe të rëndësishme me personalitete të
shquara të botës islame atje.
Gjatë qëndrimit të tij në Damask, Myftiu
është takuar fillimisht me Kryemyftiun e
Republikës Arabe të Sirisë, Hirësinë e
Tij Shejkh Ahmed Hassun. Gjatë këtij
takimi, ai ka bërë një ekspoze të punës
që bëhet në Myftininë e Shkodrës, si dhe
ka vënë në dukje disa nga vështirësitë
që duhen tejkaluar në këtë drejtim.
Njëkohësisht i ka përcjellur kryemyftiut
sirian selamet e përzemërta të Kryetarit
të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë,
H. Selim Muça.
“Sivjet festuam 20 vjetorin e rihapjes
së xhamisë së parë në Shkodër dhe
Shqipëri. Ky përvjetor është
njëkohësisht një thirrje e fortë për ne
për të përmirësuar punën dhe angazhimin
në funksion të mirëprezantimit të
Thirrjes Islame në vendin tonë”- ka
theksuar Imam Muhamed Sytari.
Ndërkohë, Kryemyftiu i Sirisë, është
angazhuar për të qenë në krah të
zhvillimeve të reja në Myftininë e
Shkodrës dhe Komunitetin Mysliman të
Shqipërisë. “Shqipëria është vendi që
është dhunuar më së shumti gjatë
periudhës së komunizmit. Në veçanti
muslimanët shqiptarë kanë provuar
kryqëzatën komuniste, si pjesë e një
përpjekje të ulët të fuqive perëndimore
për shpëlarjen e identitetit islam të
këtij vendi. Ky ka qenë misioni i
komunizmit në vendin tuaj! Prandaj,
është detyra e jonë të bëjmë atë që
është më e mira për të qenë në krah të
vëllezërve tanë shqiptarë në këtë kohë”-
ka thënë ndër të tjera Hirësia e Tij. Më
pas, ai ka kujtuar edhe disa nga takimet
e tij me Hafiz Sabri Koçin, të cilin e
ka vlerësuar si një njeri sakrifikues,
me kontribute të çmuara në shërbim të
kombit dhe fesë së tij.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu i Shkodrës e
ka ftuar zyrtarisht Kryemyftin e Sirisë
për një vizitë në Shqipëri, ftesë që
është mirëpritur nga Hirësia e Tij
Shejkh Ahmed Hassun.
Në ditët e qëndrimit të tij në Damask,
Myftiu ka takuar dhe ka zhvilluar takime
të frytshme edhe me një sërë
personalitetesh të rëndësishme të botës
islame në Siri e përtej saj, si: Dr.
Salahuddin Keftaro, Dr. Ratib Nabulsi,
dekanin e Fakultetit të Thirrjes Islame,
dr. Bessam Axhik etj, me të cilët ka
diskutuar për problematikat e ndryshme
që ka sot Thirrja Islame në Shkodër e
Shqipëri, mënyrat e tejkalimit të tyre
etj. Gjatë këtyre takimeve, Myftiu ka
kërkuar ndihmën e botës islame për
kontribuar më shumë në Shkodër dhe
Shqipëri në shërbim të Thirrjes Islame
dhe vlerave të saj, që qëndrojnë në
themelet e vlerave shqiptare.
Një takim të veçantë, Imam Muhamed
Sytari ka zhvilluar edhe me dijetarin e
madh shqiptar, Hirësinë e Tij Shejkh
Vehbi Sulejman Gavoçi. Gjatë vizitës së
tij në shtëpinë e hoxhës së moshuar
shkodran, Myftiu ka vlerësuar
kontributet e çmuara që Hirësia e Tij ka
dhënë për Islamin në Shkodër e Shqipëri
dhe mesazhet ndërtuese me të cilat ai
vazhdon të edukojë brezat e rinj të
muslimanëve, nëpërmjet mësimeve dhe
librave të shumtë që ka shkruar dhe
vazhdon të shkruajë. Ai e ka informuar
Hoxhën e ditur për ecurinë e
aktiviteteve dhe zhvillimeve në
Myftininë e Shkodrës, si dhe projektet e
saj për të ardhmen e afërt dhe të largët.
Hirësia e Tij është interesuar për
gjendjen e muslimanëve në Shkodër dhe
Shqipëri dhe ka nxitur forcimin e
vëllazërisë dhe bashkëpunimit në mes të
hoxhallarëve dhe veprimtarëve të
ndryshëm në fushën e Thirrjes Islame
atje. Njëkohësisht, ai ka theksuar: “E
kemi amanet këtë fe, prandaj mos ia
ktheni shpinën për asgjë në botë!
Qëndroni besnikë dhe kërkoni ndihmën e
All-llahut sepse, Ai sheh, dëgjon dhe
është në krah të besimtarëve!”.
Gjatë kësaj vizite, Myftiu i Shkodrës e
ka ftuar zyrtarisht Hoxhën e Madh
shqiptar Shejkh Vehbi S. Gavoçi për të
vizituar vendlindjen e tij me rastin e
Mevludit të Hazreti Muhammedit (a.s),
ftesë që është mirëpritur nga Hirësia e
Tij.
Gjatë qëndrimit të tij në Damask, Myftiu
është takuar edhe me disa drejtues të
lartë të organizatave dhe fondacioneve
bashkëkohore islame të vendeve arabe,
prej të cilëve ka kërkuar mbështetje dhe
përkrahje për imamët e Shkodrës dhe
xhamitë e saj në kuadër të rritjes së
kontributit të Myftinisë Shkodër në
shërbim të besimtarëve dhe vlerave të
Thirrjes Islame.
|
|
|
|
|
|