Ditën e shtunë, më 25
dhjetor 2010, Myftiu i Shkodrës Imam
Muhamed Sytari, ka vizituar
përfaqësuesit e dy kishave prezente në
Shkodër, me rastin e Krishtlindjes.
Fillimisht, ai është ndalur në Kishën
Ortodokse, ku ka uruar Atë Aleksandër
Petanin me rastin e kësaj feste të
shënuar për botën e krishterë. Në
bisedën e tyre, është folur për vlerën e
festave që bashkojnë njerëzit në sofrën
e besimit dhe harmonisë qytetare. Myftiu
ka theksuar se fryma e bashkëjetesës dhe
harmonisë ndërfetare që ekziston në
Shkodër duhet ruajtur e konsoliduar,
duke tejkaluar çdo papjekuri, cytje e
mungesë maturie në këtë drejtim nga
kushdo.
Edhe Famullitari i kësaj kishe, pasi ka
falënderuar rolin e Myftinisë për
ruajtjen dhe përhapjen e mesazheve të
paqes, harmonisë dhe bashkëpunimit në
mesin e qytetarëve dhe besimtarëve, ka
vlerësuar frymën e harmonisë në mes të
përfaqësuesve të feve monoteiste në
Shkodër e Shqipëri.
Më pas, i shoqëruar edhe nga imami i
xhamisë “Ebu Bekër”, teologu Idmir Plaku,
ai i xhamisë së Rusit, H. Fejzi
Zaganjori dhe teologu Arben Halluni,
Myftiu ka vizituar edhe përfaqësuesit e
Kishës Katolike, ku ka bërë urimet me
rastin e festës.
Edhe në këtë vizitë, Myftiu ka theksuar
se harmonia fetare që ekziston në
Shkodër e Shqipëri, duhet mbrojtur e
konsoliduar duke u bazuar në tekstet e
shenjta, urtësinë dhe maturinë e
njerëzve të ditur. Ai ka vlerësuar rolin
e institucioneve fetare në këtë vend për
të qenë përcjellës së mesazheve të paqes
dhe besimit në shoqëri.
Në mesazhin e tij për mediat, përveç
urimeve drejtuar të krishterëve me
rastin e festës së tyre, Myftiu është
ndalur edhe te çështja e shumëfolur këto
ditë, ajo e ndalimit të mbulesës së
muslimaneve në shkolla e në administratë.
Ai ka thënë se nëse një ligj i tillë do
të miratohej, kjo do të ishte kthim
prapa në mesjetë. “Kjo do të ishte më
keq se realitetet e vitit 1967, ndërkohë
që sapo janë liberalizuar vizat dhe
njerëzit presin të udhëtojnë të lirë
kudo në Evropë!? Do të ishte paradoksale,
e turpshme dhe e pa pranueshme prej nesh!?”-
ka deklaruar Myftiu.
Alban Hoxha
|
|
|
|
|