Ditën e xhuma, më 24
dhjetor 2010, Imam Muhamed Sytari ka
mbajtur hytben e xhumasë në xhaminë e
fshatit Bërdicë e Mesme. Në fjalën e tij,
Myftiu ka folur mbi mënyrat e ruajtjes
së identitetit islam, në këto ditë, duke
iu referuar dashurisë për të dërguarin e
All-llahut dhe pasimin e shembullit të
tij në jetë.
“Ditët që jetojmë, po na
vërtetojnë përherë e më shumë se sa e
domosdoshme është për ne muslimanët që
ta forcojmë edhe më shumë lidhjen tonë
me fenë, dashurinë për All-llahun dhe të
dërguarin e Tij! Sot, kur
nëpërmjet altoparlantëve të Iblisit, po
bëhen thirrje për ta ndërruar fenë, ne
si muslimanë e kemi për detyrë të
qëndrojmë përballë kryqëzatës moderne që
po lëvron ditë pas dite në këtë vend! Ne
jemi muslimanë dhe nuk e ndërrojmë fenë,
edhe pse ndonjë të djallëzuari do t’i
pëlqente kjo gjë!
Ditët që po jetojmë, na
nxisin edhe më shumë për t’u kapur pas
traditave islame në gjurmë të
Resulull-llahit (a.s) dhe shembullit të
tij. Secili prej nesh duhet ta pyesë
veten për shembulltyrën e jetës së tij.
Muslimani e ka një të tillë, të vetmen
shembulltyrë, Resulull-llahin (a.s).
Përtej politikanëve
shpirtshitur, përtej pushtetarëve të
konvertuar, përtej iblisëve që na
thërrasin drejt vetes, ne e kemi një fe
dhe një shembull: Islamin dhe
Resulull-llahin (a.s)”- ka qenë
thelbi i hytbes së mbajtur nga Myftiu.
Ndërkohë në hytben e dytë, ai ka folur
edhe për përmbytjet e ditëve të fundit,
ku është lutur për njerëzit në nevojë
dhe të dëmtuarit. Ai ka konfirmuar se
Myftinia Shkodër do të vazhdojë t’u vijë
në ndihmë njerëzve në nevojë e atyre që
u dëmtuan nga përmbytjet e frikshme të
fillim-dhjetorit 2010.
A. Mahiri
|
|
|
|