Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Imam Muhamed Sytari
Myfti i Zonës Shkodër


Më 2 dhjetor 2010, në Myftininë Shkodër ishin thirrur krejt imamët e qytetit. Ishte mbledhje e jashtëzakonshme. Shqetësimi në fytyrën e secilit, lexohej dukshëm, teksa prisnin se çfarë do t’u komunikoja. Harta e përmbytjes së qytetit tonë kishte nisur të zgjerohej dhe kjo ishte një zile e fortë që duhet të tërhiqte edhe vëmendjen tonë për t’u përfshirë me lutje e dhikre, me këndime të ndryshme të Kuranit e ndërmjetësimeve hyjnore karshi kësaj situate që mbante erë të sikletshme…
           
Atë ditë, prijësit e muslimanëve të Shkodrës morën udhëzim që të nesërmen (ishte ditë e xhuma), nga minberet e xhamive të flisnin për pendimin, për istigfarin, për kthimin nga Zoti, për largimin nga haramet, që më keq se kjo përmbytje, kanë përmbytur botën shpirtërore në këtë vend!

Çthurrja e nderit, fataliteti i turpshëm i legjitimimit të homoseksualizmit për servilizëm harbut, fajdet dhe kamata sa andej-këndej, bixhozi dhe alkoolizimi i shoqërisë, degradimi i familjes, mëritë në mes të vëllezërve, thashethemet pa fund, gibeti gjithandej, krimi brenda familjes, injoranca, vrasjet pa kontroll, korrupsioni me plot kuptimin e fjalës në çdo cep të kësaj shoqërie, varfëria e intelektualizmit objektiv, fushatat për “ç’islamizimin” e kësaj shoqërie “trendi i së cilës është krishtërimi” (sikurse dëgjohet edhe zëri zyrtar i drejtorit të ATSh- së, publikisht) etj, janë argumente të një çmendurie xhahile të kësaj shoqërie dhe njerëzve në këtë vend, jo të lumenjve, shiut a reve, ushtarëve të Krijuesit të tyre!?
           
Të xhumanë e parë, pas fillimit të përmbytjes së frikshme që “pushtoi” Shkodrën, më 3 dhjetor, nga minberi i xhamisë Parrucë, deklarova se nuk janë çmendur lumenjtë (siç deklaronte kryeparlamentarja), por njerëzit që po i kthejnë shpinën Zotit, ditë pas dite. Deklarata ime ishte krejt normale, pasi roli i një myftiu, hoxhe a imami është të mos heshtë në raste kur është koha për të folur!
           
Të nesërmen, ishte bërë “kijameti”. Disa e kishin harruar përmbytjen dhe po merreshin me hytben e Myftiut!? Një mik më telefonoi e, me gjysëm zëri më “tërhoqi” vëmendjen se nuk kisha bërë mirë që e kisha përmendur atë… Unë qesha, ndonëse nuk ishte ditë për të qeshur… Ku e kisha mendjen unë e ku u rrihte atyre..!?
           
Ditët e përmbytjes vazhduan, duke u bërë për ne si një peshore llogarie, në të cilën çdokush peshohet e vlerësohet për atë që është. Në këtë kontekst, edhe institucioni i Myftinisë Shkodër, nuk qëndroi në heshtje. Xhami të shumta na ishin dëmtuar. Në Mushan, Rrushkull, ajo e Plumbit, Zues, Tophanë, konvikti i medresesë, pjesa e trashëgimisë kulturore pranë xhamisë së Plumbit, më pas xhamia e Zogajve etj, ishin bërë për ibret.
           
Në mbledhjen e këshillit të Myftinisë dhe të imamëve të qytetit, atë të datës 5 dhjetor, u diskutuan shumë gjëra që kanë të bëjnë me situatën. U vendos ngritja e një shtabi (i cili qe rezultativ dhe efikas për ditët që pasuan), hapja e një llogarie bankare rrjedhëse për të afruar donatorë edhe nga jashtë etj.
           
Që atë ditë Myftinia kishte përgatitur qindra pako me ushqime e ujë të pijshëm për t’i shpërndarë në zona të ndryshme të qytetit. Fillimisht në Xhabiej e më pas në Tophanë, ne kishim nisur të jepnim kontributin e parë në këtë drejtim.
           
Atë ditë të 5 dhjetorit 2010, nuk do më hiqet nga mendja pamja e një gruaje të moshuar nga një kat i katërt. Kishte “krijuar” një litar me disa lidhje dhe me të në dorë bërtiste: “Ma lidhni një shishe ujë edhe mu, se marova. Jam tash tri ditë pa ujë n’shpi”… Nga ballkonet e dritaret njerëz të shumtë bënin të njëjtën thirrje. O Zot! Nuk më kishte shkuar ndër mend se një ditë, lagjja në të cilën kisha kaluar një pjesë të mirë të jetës sime, do të katandisej në këtë gjendje. Po kaloja me varkë mbi rrugët që me mijëra herë i kisha shkelur në ditët e fëmijërisë e ato që pasuan. Subhanallah!
           
Atë ditë në Prefekturë, edhe zv/kryeministri Meta, më thoshte se: “Edhe ne po lutemi!” Atë ditë, falë All-llahut, moti kishte nisur të përmirësohej.
           
Ditët, pasuan njëra-tjetrën dhe thirrjet e Myftinisë Shkodër nuk ranë në veshë të shurdhër. Nga të katër anët, nisën të vijnë ndihma të ndryshme humanitare, të cilat na vunë para përgjegjësisë për shpërndarjen e tyre. U angazhuan imamë, besimtarë, vullnetmirë e njerëz që, sikurse ne, donin që këto ndihma të shpërndaheshin një orë e më parë.
           
Sprova e ujit në Shkodër, në fillim dhjetorin e këtij viti, ishte një sprovë e madhe. Nuk do ta harroj zërin e moshuar të Kryetarit të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Selim Muça, me të cilin i drejtohej Prefektit të Shkodrës, duke iu ankuar: “Teksa flasim, mendja më shkon te njerëzit e përmbytur. Si flenë, si ngrihen, si lahen, si hanë, si ndërrohen, si i kanë fëmijët e tyre? Të gjitha këto pyetje më lodhin dhe më bëjnë të lutem me zemër për këta njerëz në nevojë…”. E kush nuk ishte lodhur në ato momente të vështira, për Shkodrën dhe njerëzit e saj?!           
           
Falë kontributit të vëllezërve nga vendet e ndryshme të botës islame, atyre turqë në veçanti, u arrit që të shpërndahen ndihma të bollshme për krejt familjet e dëmtuara.
           
Pako ushqimore u shpërndanë për krejt familjet e fshatit Kuç, Trush, Bërdicë, Zogaj, Zues, Muriqan, si dhe për familjet e lagjeve: Bahçallek, Ajasëm, Tophanë, familjet e përmbytura të nxënësve të dy medreseve etj.
           
Përmbytja ishte e vështirë. Ishte një sprovë e madhe për t’u kthyer nga Zoti dhe mësimet e Tij. Ishte ftesë për të lexuar historinë e popujve të mëparshëm dhe për të mos e bërë fenë plastelinë në duar të papërgjegjshme, xhahile!?
           
Ishte, pa dyshim një zile e fortë për të dëgjuar të gjithë; me pushtet e pa pushtet, të pasur e të varfër, të ditur e të paditur, krejt shoqëria shqiptare!
           
Në fund të këtij shkrimi, dua të falënderoj të gjithë atë që dhanë ndihmën dhe kontributin e tyre për të ndihmuar të dëmtuarit e të përmbyturit nga uji në Shkodër. Në veçanti: Komunitetin Mysliman të Shqipërisë, Myftininë Elbasan, Qendrën Islame Shqiptare-Amerikane në Arizona, Qendrën Islame Shqiptare-Amerikane Wisconsin, Xhaminë e Frankfurtit dhe imamin e saj, z. Ahmed Kajoshi, Bashkësinë Islame Shqiptare Basel Zvicrës, Shtypshkronjën “Milleniumi i Ri” dhe Radio “VAKËF” Tiranë, Organizatën Bamirëse “El-Hilal” Shkup, Lidhjen e Hoxhallarëve Shqipërisë, Shoqatën “Istanbul” dhe në mënyrë të veçantë Organizatën Bamirëse “Cansuyu”Ankara etj.
               
Një falënderim edhe për vëllezërit e nderuar: Arben Halluni, Ilir Dizdari, Gëzim Cani, Kleves Kraja dhe Denis Sytari, të cilët u angazhuan maksimalisht dhe ishin në krye të aksionit për shpërndarjen e ndihmave dhe mbarëvajtjen e tyre, kudo.
               
Shërbimi vazhdon…       

Shkodër, më 18 dhjetor 2010

Sprova e ujit dhe çmenduria e një shoqërie…