Nga dita e djeshme ka
mbërritur në Shkodër një përfaqësi e
Organizatës Bamirëse turke “Cansuyu”, që është sensibilizuar me nevojën e
njerëzve të dëmtuar nga uji në Shkodër.
Me këtë rast ata kanë sjellur në qytetin
tonë 2000 (dy mijë) pako ndihma
ushqimore, shpërndarja e të cilave është
bërë sipas një grafiku të përcaktuar nga
Myftinia Shkodër.
Pas takimit të zhvilluar dje me Myftiun
Imam Muhamed Sytari, është bërë edhe
përcaktimi i zonave ku do të shpërndahen
këto ndihma. Fillimisht Myftinia ka
ngritur një grup vullnetarësh, të cilët
janë marrë me grumbullimin dhe ndarjen
në pako të ndihmave në fjalë.
Falë koordinimit me imamët e xhamive të
përmbytura, është bërë edhe planifikimi
i zonave ku do të shpërndahen këto
ndihma. Me këtë rast, është bërja
shpërndarja e 470 pakove me ndihma
ushqimore në fshatin Trush, sipas një
liste të përgatitur me shumë seriozitet
nga këshilli i xhamisë, duke përfshirë
krejt familjet e këtij fshati, muslimanë
e katolikë.
Po ashtu është bërë shpërndarja e 100
pakove në Zogaj, ku siç dihet edhe
aty ka patur dëme të shkaktuara nga
dallgët dhe era e fortë e ditëve të
fundit.
Ndërkohë, Myftinia po përgatitet për të
bërë shpërndarjen e ndihmave në disa
zona tjera, të dëmtuara nga
përmbytjet.
Me këtë rast, Myftinia Shkodër,
falënderon përkushtimin dhe sakrificën e
grupit të vullnetarëve, të cilët ndonëse
në kushte të vështira atmosferike, u
angazhuan për përgatitjen e pakove që u
shpërndanë në Trush e Zogaj.
K. Kraja
|
|
|
|