Fshati Kuç është një
ndër zonat më të dëmtuara nga përmbytja
që izoluan Shkodrën gjatë ditëve të para
të muajit dhjetor 2010. Interesimi i
Myftinisë për të ndihmuar njerëzit në
nevojë e të dëmtuar nga këto përmbytje
ka qenë i menjëhershëm. Është
sensibilizuar opinioni publik,
besimtarët dhe frekuentuesit e xhamive,
janë mbajtur vase e hytbe në këtë
drejtim, janë ftuar organizata e shoqata
besimtare për të ndihmuar dhe janë hapur
llogari bankare për të mbledhur sa më
shumë fonde bamirësie për këtë qëllim.
Dëme të mëdha janë bërë edhe në fshatin
Zues, por edhe në Muriqan, ku ka patur
njerëz që janë dëmtuar nga uji.
Paraditën e së mërkures, më 15 dhjetor
2010, Myftinia Shkodër ka bërë të mundur
sigurimin e qindra pakove për të
ndihmuar sadopak të dëmtuarit nga uji në
fshatrat Kuç, Zues e Vukatanë.
Fillimisht, në fshatin Kuç, është bërë
shpërndarja e 170 pakove për familjet që
u dëmtuan në këtë përmbytje. I pranishëm
në këtë aktivitet bamirës, Myftiu i
Shkodrës ka inspektuar nga afër edhe
xhaminë e dëmtuar të këtij fshati. Ai ka
parë dëmet e shumta që ka bërë vërshimi
i ujërave dhe nivelet e dëmit nga janari
i këtij viti deri në përmbytjen e fundit.
Besimtarët janë ankuar se dëmi që ka
ndodhur ka bërë që xhamia të shkojë
drejt shkatërrimit dhe kanë kërkuar
ndihmën e institucionit të Myftinisë në
këtë drejtim.
Më pas, Myftiu është takuar edhe me
besimtarë e familjarë të dëmtuar, me të
cilët ka ndarë lutjet e shpresës dhe ka
theksuar se detyra e krejt komunitetit
në këto momente të vështira është
bashkëpunimi për tejkalimin e kësaj
situate sa më parë.
Pas fshatit Kuç, Myftiu ka inspektuar
edhe xhaminë e fshatit Zues, si dhe
është takuar edhe me një pjesë të
komunitetit të dëmtuar në fshatin
Muriqan, ku ka bërë edhe shpërndarjen e
pakove ushqimore për njerëzit në nevojë.
V. Mehmeti
|
|
|
|