Imam Muhamed Sytari

Muhamed Sytari ka lindur në Shkodër më 21.05.1978. Është diplomuar në Damask të Sirisë nga Fakulteti i Thirrjes Islame ... 

 


Harta e Vizitorëve




 

Përmbytjet

SHKODËR- Reshjet e shiut dhe shtërngatat që kanë përfshirë Qarkun e Shkodrës kanë vazhduar të rrisin nivelin e ujit në zonat e përmbytura të NënShkodrës. Ndërsa situata është bërë gjithnjë e më kritike për shkak të reshjeve dhe shkarkimeve të HEC-ve, gjë që ka sjellë fryerje të Bunës, Drinit dhe Kirit. Si pasojë janë përmbytur sipërfaqe të konsiderueshme toke nga njësitë vendore të Bashkisë Shkodër, kryesisht lagjet Xhabije, Tophanë, Livade, Qafë, Ajasëm dhe Bahçallek, si dhe bllokimin dhe izolimin e lagjeve Shirokë dhe Zogej. Përsa i përket komunave janë përmbytur Komunat Ana e Malit, Dajç, Bërdicë dhe Bushat.

Situata emergjente

Në qytet, zona e Tophanës, Bajës së Vogël, Xhabijes dhe tek Medreseja e djemëve, zona është komplet nën ujë duke bllokuar aksesin në xhaminë e Tophanës, xhaminë e Medresesë si dhe konviktin e shkollës.

Në Tophanë, xhamia është e bllokuar dhe uji ka hyrë në xhami, megjithëse oborri është i përmbytur. Uji është afruar shumë dhe janë vendosur barriera me thasë rëre në portën e xhamisë.

Po kështu tek xhamia e medresesë, oborri i është dorëzuar komplet sundimit të ujit, por për një distancë 10 cm uji nuk ka hyrë në xhami. Konviktit të medresesë i është përmbytur kati podrum duke dëmtuar paisjet e kaldajës, depozitës së mazutit si dhe panelit elektrik.

Situata është ndryshe në xhaminë e Plumbit, e cila ka pësuar përmbytjen më të madhe që mbahet mend në këtë xhami. Prezenca e ujit në xhami ka arritur rekordin pasi ka mbuluar edhe çardakun e grave, që është 2 m mbi sallën e faljes së burrave.

Në Zogej, uji ka mbuluar molet e zonës, uji ka dalë mbi rrugën e xhamisë dhe ka mbuluar 3 këmbët e shkallave të xhamisë. Hyrja në xhami është kryer vetëm me ndihmën e suleve (lundrave). Pas stuhisë “veri”, është dëmtuar themeli i xhamisë, porta e brendshme e xhamisë si dhe porta e oborrit së bashku më kolonat e saj. Nga forca goditëse e valës janë dëmtuar edhe tre këmbët e shkallëve të xhamisë si dhe rruga e vjetër e kalldrëmit që daton më se 500 vite.

Në xhaminë e Bahçallekut, uji ka përmbytur komplet oborrin dhe ka mbuluar shkallën e parë të verandës së xhamisë por nuk ka hyrë në xhami.
Në pjesën e rrethinave të qytetit situata qëndron si vijon:

Në xhaminë e Harkut të Bërdicës, normalisht kjo zonë është më e dëmtuara pasi është më e ulëta në kuotë dhe ndër të parat zona që është përmbytur. Përsa i përket xhamisë, ajo është në ndërtim e sipër dhe dëmet në xhami mendohet të jenë në karakter material ndërtimi, që kanë qenë të gumbulluara për ndërtim në territorin e saj.

Në xhaminë e Trushit, zona është nën ujë gjithashtu edhe oborri i xhamisë. Fatmirësisht uji në xhami nuk ka hyrë.

Në xhaminë e Rrushkullit, zona është përmbytur dhe uji ka arritur nivele nga 1.5 m deri në 3 m, por tek xhamia uji ka hyrë afro 1 m, kjo pasi në zonën e argjinaturës ka pasur një çarje, aty ku ka qenë xhamia e vjetër. Në xhami ka pasur dyfishin e ujit që ka pasur në përmbytjet e janarit  2010.

Në xhaminë e Shirqit prezenca e ujit ka vështirësuar shkuarjen në xhami, por së fundi uji është shtuar dhe e ka bërë të pamundur futjen në xhami, megjithëse sipas informatave, uji në xhami nuk ka hyrë, kjo pasi pozicioni i xhamisë është më i ngritur se lagjia.

Xhamia e Kuçit është krejtësisht e përmbytur, madje i gjithë katundi është nën ujë dhe janë evakuar të gjithë banorët. Uji në xhami ka arritur në distancën 70 cm. Megjithëse xhamia pozicionohet në pjesën më të lartë të fshatit ajo nuk ka mundur të shmang përmbytjen.

Xhamia e fshati Zues, është komplet nën ujë. Uji ka dalë mbi rrugë dhe në xhami ka pasur rreth 40 cm ujë.

Në zonën e Vukatanës, aktualisht uji sapo ka filluar të depërtojë nga ana e Kuçit, por nuk rrezikon xhaminë.
 

Masat dhe bilanci i dëmeve

Menjëherë pas fillimit të situatës së përmbytjeve, Myftinia Shkodër ka qenë   e vëmendëshme për të mbajtur situatën nën vëzhgim. Fillimisht është organizuar një takim me Këshillin e Myftinisë nga ku është aktivizuar Shtabi i Emergjencës në Myftininë Shkodër me në krye Myftiun Imam Muhamed Sytari. Ndër prioritetet e këtij shtabi ka qënë azhornimi i përditshëm me situatën e xhamive të përmbytura, dëmet e krijuara dhe masat që mund të merreshin për shpëtimin e materialeve të inventarit të imët. Njoftimi i të gjithë imamëve të qytetit dhe zonave të pa përmbytyra për të sensibilizuar xhematet për ndihmë si dhe duke i tërhequr vëmendjen atyre për pendim dhe kthim në rrugën e Allahut xh.sh.

Gjithashtu, prioritet i shtabit të emergjencave të ngritur pranë Këshillit të Myftinisë Shkodër ka qënë edhe koordinimi i informacioneve dhe planeve të punës me Shtabin e Emergjencave Civile të ngritur në Prefekturën Shkodër të drejtuar nga Prefekti i Shkodrës si dhe zv/Kryeministri. Këtij shtabi i është ofruar ndihma dhe bashkëveprimi i Myftinisë Shkodër.

Pas informacioneve të grumbulluara nga imamët dhe këshillat e xhamive rezulton se dëmet e xhamive kanë qënë të mëdha, madje edhe më të mëdha se përmbytjet e janarit 2010. Kjo për faktin se niveli i ujrave ka qenë 25-30 cm më shumë.

Si pasojë, në të shumtën e rasteve paisjet elektrike, tapetët etj, kanë mbetur nën ujë. Rezultojnë se janë dëmtuar pothuajse të gjitha dyert dhe shumë dritare që kanë qenë të punuara me dërrasë. Ka pasur raste kur shtërngata e “verit” apo “murlanit” kanë dëmtuar edhe dyer  metalike siç është rasti i derës së xhamisë Zogej.
 

Sensibilizimi për ndihmë

Thirrjes së Myftiut të Shkodrës për ndihmë në favor të familjeve të përmbytura i janë përgjigjur shumë qytetarë dhe me këto fonde, Myftiu sëbashku me grupin e punës kanë organizuar shpërndarjen e ndihmave në zonën e lagjeve Xhabije dhe Tophanë.

Përveç xhemateve të qytetit, është njoftuar Kryesia e Komunitetit Mysliman Shqiptar dhe fushata e sensibilizimit është shtrirë edhe në xhematet dhe Myftinitë e rretheve të tjera.

Gjithashtu, janë kontaktuar shumë shoqata që ushtrojnë veprimtarinë e tyre bamirëse në Shqipëri por edhe jashtë saj si: në Amerikë, Turqi, Siri, Emirate, Zvicër, Maqedoni, Arabi Saudite, etj.

Shtabi i emergjencës në Myftininë e Shkodrës do të angazhohet menjëherë pas tërheqjes së ujrave për të bërë evidentimin dhe preventivet e dëmeve për të gjitha xhamitë e përmbytura.
 

Blendi Alushi
Menaxher i pronave në Myftininë Shkodër

 

Xhamia Tophanë gjatë përmbytjeve të dhjetorit 2010