Ditën e dielë, më 5
dhjetor 2010, menjëherë pas shpërndarjes
së ndihmave për disa nga familjet e
izoluara nga uji, në lagjen Xhabiej,
Myftiu i Shkodrës Imam Muhamed Sytari ka
bërë një vizitë në Shtabin e
Emergjencave Civile në Prefekturën e
Shkodrës.
Me këtë rast ai është takuar me zv/kryeministrin
e Shqipërisë, z. Ilir Meta, me të cilin
ka folur rreth situatës së krijuar ditët
e fundit në qytetin e Shkodrës, pas
përmbytjeve që dëmtuan një pjesë të mirë
të hartës së këtij qyteti. Ai i ka
shpjeguar zv/kryeministrit se Myftinia
Shkodër është e angazhuar për të dhënë
ndihmën e saj përkrah qeverisë shqiptare
dhe Shtabit të Emergjencave të ngritur
pranë Prefekturës së Shkodrës. Nga ana e
tij z. Ilir Meta ka falënderuar
kontributin e Myftinisë Shkodër dhe ka
konfirmuar domosdoshmërinë e
bashkëpunimit për kapërcimin e kësaj
situate. “Edhe ne po lutemi”- ka pohuar
z. Meta, teksa Myftiu ka thënë se është
e rëndësishme të mos humbet shpresa dhe
besimi në Zotin.
Më pas Myftiu ka zhvilluar një bisedë
edhe me Prefektin e Shkodrës, z. Maxhid
Cungu, ministrin e Arsimit, z. Myqerem
Tafaj e të tjerë pjesëtarë të shtabit të
ngritur në qytetin e Shkodrës për
kapërcimin e situatës së përmbytjeve të
ditëve të fundit.
Gjatë fjalës së tij, Myftiu ka
konfirmuar nevojën e kthimit nga Zoti me
falje, pendim e lutje. Njëkohësisht ai
ka bërë thirrje që klasa politike duhet
të angazhohet me situatën e Shkodrës, jo
me deklarata të pakuptimta që nuk kanë
të bëjnë me këtë çështje.
Ai ka garantuar se Myftinia Shkodër do
të vazhdojë të japë kontributin e saj
për të zbutur sadopak dhimbjen që po
shkakton ky realitet.
|
|
|